UEFA po e kërkon një raport të pavarur rreth skenave jashtë fushës pak para finales së Ligës së Kampionëve, që u zhvillua të shtunën ndërmjet Liverpoolit dhe Real Madridit, raportoi BBC-ja të martën.
Autoritetet franceze u ankuan për eskalimin e situatës, ku tifozë pa bileta u përleshën me policinë, duke tentuar të futeshin në stadium. Keqpërdorimi me bileta u konsiderua si mashtrim industrial, derisa ministrja franceze e Sportit, Amelie Oudea-Casteratha, tha se nuk pati “asnjë problem” me tifozët e Real Madridit, pasi pala spanjolle “i kishte kontrolluar mirë tifozët e vetë”.
Në këtë mes u fajësua Liverpooli për moskontrollim të tifozëve, derisa kreu i klubit, Tom Werner, tha se pamjet e shtunës ishin të rrezikshme për tërë pjesëmarrësit.
“Finalja e Ligës së Kampionëve të UEFA-s duhet të jetë një nga spektaklet më të bukura në sportin botëror. Përkundrazi, ajo u shndërrua në një nga kolapset më të këqija të sigurisë”.
UEFA tha se një rishikim i përgjithshëm i ngjarjes do të ndikonte në marrjen e vendimit si dhe palët e përfshira “do t’i vinte para përgjegjësisë”.
“Dëshmitë do të mblidhen nga të gjitha palët përkatëse dhe gjetjet e raportit të pavarur do të bëhen publike pasi të kompletohen. Pas marrjes së gjetjeve, UEFA do të mendojë për hapat e mëtutjeshëm”, thuhet në njoftimin e UEFA-s.
Në finalen që u nis me vonesë në “Stade de France”, Real Madridi triumfoi minimalisht, 1-0. Vinicius Junior realizoi në minutën e 57-të.