Liverpooli ka bërë thirrje për hetime për “çështjet e papranueshme” me të cilat u përballën tifozët, e që sollën shtyrjen e ndeshjes finale të Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit.
UEFA ka shtyrë ndeshjen për më shumë se 30 minuta, duke përmendur “arsye të sigurisë”.
Ndeshja në “Stade de France” në Paris nuk ka filluar deri në ora 21:36, ndërsa Real Madridi fitoi 1:0 ndaj Liverpoolit.
Policia në afërsi të stadiumit hodhi gaz lotsjellës, ndërsa një numër i vogël shikuesish tentuan të ngjiteshin mbi barrierat e sigurisë.
Ministri i Sportit të Britanisë së Madhe, Nigel Huddelston, ka shkruar: “Ne jemi shumë të brengosur për skenat e papranueshme rreth ‘Stade de France’ mbrëmjen e kaluar. Do të punojmë me organet përgjegjëse për të kuptuar çka ndodhi dhe pse”.
Mbrojtësi i Liverpoolit, Andy Robertson, ka thënë se organizimi i ndeshjes ishte i turpshëm.
Policia nga Liverpooli tha se oficerët e saj, që ishin të vendosur në Paris dhe ndoqën ndeshjen, kanë raportuar se shumica dërrmuese e tifozëve u sollën në mënyrë shembullore, duke arritur me kohë dhe duke u rreshtuar sipas udhëzimeve.
“Oficerët tanë që kthehen sot do të ofrojnë një përmbledhje zyrtare për të siguruar që mund të mbështesim plotësisht çdo hetim të mëvonshëm pas ndeshjes finale”, ka thënë ndihmës-shefi i policisë, Chris Green.
Një polic ka thënë se ishte ndeshja më e keqe evropiane për të cilën ka punuar apo të cilën e ka parë.
Sipas policisë, “sjellja e tifozëve ishte shembullore në rrethana tronditëse. Ata 100 për qind nuk janë vonuar”.
Grupi i tifozëve të Liverpoolit “Spirit of Shanky” ka thënë se situata ishte kaotike dhe skajshmërisht e rrezikshme. Janë shfaqur fotografi të turmave të mëdha të tifozëve që rrinin në radhë në pritje për të hyrë brenda stadiumit.
Shumë tifozë kanë treguar se ishin para stadiumit disa orë para ndeshjes, por janë ndaluar që të hyjnë në arenë.
“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer nga problemet e hyrjes në stadium dhe nga prishja e perimetrit të sigurisë me të cilin u përballën tifozët e Liverpoolit këtë mbrëmje në ‘Stade de France’”, shkruan në një deklaratë të Liverpoolit.
“Kjo është ndeshja më e madhe e futbollit evropian dhe tifozët nuk duhet të provojnë skena që i kemi parë mbrëmë. Ne zyrtarisht kemi kërkuar një hetim zyrtar për shkaqet e këtyre çështjeve të papranueshme”.
Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, ka thënë se ishte në përkrahje të atyre që u prekën nga ngjarjet dhe se “do të shqyrtojë më tej këto çështje urgjentisht së bashku me policinë, me autoritetet franceze dhe me Federatën e Futbollit të Francës”.
“Në fillim të ndeshjes, hyrjet për tifozët e Liverpoolit u bllokuan nga mijëra tifozë që kishin blerë bileta false e që nuk funksiononin në hyrje”, është shpjeguar nga UEFA. “Kjo krijoi grumbull të tifozëve që përpiqeshin të hynin në stadium. Si rezultat, fillimi i ndeshjes u shty për 35 minuta për të lejuar sa më shumë tifozë me bileta origjinale që të kenë qasje. Pasi turma po rritej jashtë stadiumit pasi ndeshja kishte nisur, policia i shpërndau tifozët me gaz lotsjellës dhe i detyroi të largoheshin nga stadiumi”.
Policia franceze u kishte kërkuar tifozëve që të mos hynin me forcë në stadium, përmes një postimi 20 minuta pa nisur ndeshja. Ulëse të zbazëta në stadium mund të shiheshin kur ndeshja duhej të fillonte. Jashtë stadiumit, disa tifozë u panë duke kaluar rrethojat apo duke tentuar të shmangnin pjesëtarët e sigurisë. Të pranishëm ishin edhe policia e trazirave.
Lojtarët e Liverpoolit dolën për t’u ngrohur në ora 20:06, për herë të dytë, ndërsa në ekranet e mëdha shkruante se ndeshja do të shtyhej për shkak të ardhjes së vonshme të tifozëve.
Policia franceze tha se tifozët me bileta false provuan të hynin në stadium me forcë, por “ndërhyrja e shpejtë e policisë mundësoi kthimin e qetësisë”. Nga Policia franceze thanë se ishin në gjendje t’i shpërndanin tifozët ‘pa vështirësi”.
Sipas policisë në Paris, nuk kishte incidente të mëdha në zonat e tifozëve, ndonëse 500 persona u zhvendosën nga një bar pranë zonës së tifozëve të Liverpoolit.
Ministrja franceze e Sportit, Amelie Oudea-Caster, shkroi: “Përpjekja për ndërhyrje dhe mashtrim nga mijëra shikues anglezë e ndërlikuan punën e stafit të stadiumit dhe të policisë. Por nuk do ta njollosin këtë fitore”.
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Gerald Darmanin, fajësoi tifozët britanikë.
Gazetari i BBC-së, Nick Parrott, që ishte në afërsi të stadiumit, ka thënë: “Sapo më kanë hedhur gaz lotsjellës për herë të parë në jetën time. Unë kam qenë edhe në të kaluarën në finalen e Ligës së Kampionëve, por nuk kam përjetuar asnjëherë gazin lotsjellës. Isha pranë portës Y, e cila hapej dhe mbyllej vazhdimisht për një orë e gjysmë. Por askush nuk kishte kaluar. Stafi i sigurisë hodhi gazin lotsjellës”.
Ceremonia hapëse e Championsit filloi në ora 21:20, para se ndeshja të fillonte përfundimisht 16 minuta më vonë.
Dhjetë minuta pasi nisi ndeshja, Shoqata Evropiane e Tifozëve tha se mijëra tifozë janë ende të bllokuar jashtë stadiumit, duke qëndruar të qetë përballë një situate krejtësisht të papranueshme.
“Tifozët në finalen e Ligës së Kampionëve nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për fiaskon e sontme”, kanë shtuar nga kjo shoqatë.
Ka pasur shumë raportime për tifozë të Liverpoolit që prisnin në rresht dhe nuk mund të hynin në stadium.
Mbrojtësi Roberson tha se i kishte dhënë një biletë një shoku, por atij i ishte refuzuar hyrja në stadium.
“Njërit prej shokëve të mi i thanë se bileta ishte false, por mund t’iu garantoj se ajo nuk ishte”, tha Robertson.
“Ishte e tmerrshme për tifozët tanë dhe të gjitha familjet që e kanë kaluar atë situatë. Nuk ishte përvojë e bukur, nuk ishte finale e bukur për ta përcjellë. Liga e Kampionëve duhej të ishte festë, por nuk ishte ashtu”.
Ka pasur shumë akuza ndaj UEFA-s për organizimin e keq të finales. Madje, ato kanë ardhur edhe nga njerëz të politikës britanike.
Finalja është dashur të luhet në St. Petersburg të Rusisë. Por është zhvendosur në Paris për shkak të luftës në Ukrainë.