Sport

Kurtulush e vlerësonte “shans” ftesën nga Shpresat e Kosovës, tani refuzon të luajë për përfaqësuesen A

“A keni pasur dilema kur është paraqitur mundësia për të luajtur për Kosovën?”, ishte pyetur mbrojtësi Edvin Kurtulush nga KOHA më 31 gusht të vitit 2020. Ai për herë të parë kishte marrë ftesë nga Kosova U21. Luante për Halmstadin atëbotë, në kategorinë e dytë suedeze.

“Jo, hiç nuk kam pasur dyshime. Kemi qenë në kontakt për një vit, por disa letra nuk ishin gati”, ishte përgjigjja e Kurtulushit, lojtari që bëri bujë të premten me vendimin që t’i përgjigjet negativisht ftesës për grumbullim në përfaqësuesen A të Kosovës.

“Po, jam shumë i kënaqur që më ka ardhur shansi të luaj për Kosovën”, ishte një tjetër përgjigje e Kurtulushit më 31 gusht të vitit 2020.

Kurtulush, që thotë se ka prejardhje nga Prizreni, kishte debutuar te Kosova U21 menjëherë më 4 shtator të vitit 2020. Kishte luajtur 90 minuta në humbjen 6:0 nga Anglia. Mbrojtësi i ka kompletuar të gjitha 12 ndeshjet që i ka luajtur për Shpresat e Kosovës prej atëherë. Madje në gjashtë ndeshjet e fundit ishte kapiten i Kosovës U21. Paraqitjet e tij u vlerësuan, ndërkohë që karriera e 22-vjeçarit shënoi ngritje. Dhe kështu erdhi ftesa nga Kosova A për katër ndeshjet e qershorit. Ai ishte emri i vetëm i ri në listën e Kosovës për ndeshjet e qershorit. Por Kurtulush, lojtari i lindur në Suedi, vendosi ta refuzonte ftesën. Ai do të luajë për Suedinë.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës mund të kenë qenë të informuar për rrezikun që një mbrojtës perspektiv të kalojë te një përfaqësuese tjetër. Dhe ftesa mund të ketë ardhur si reagim i kësaj. Nuk ka pengesa ligjore që Kurtulush të ndërrojë përfaqësuesen dhe të kalojë te Suedia. Vetëm kur një lojtar luan ndeshje zyrtare me përfaqësuesen A e humb të drejtën e ndërrimit të vendit. Kurtulush nuk e ka bërë këtë.

“Tani e kam fokusin te ndeshja me Anglinë, por normal një ditë do të kisha dëshirë edhe unë të jap kontribut për Kosovën”, ishte një përgjigje tjetër e Kurtulushit, gati dy vjet më parë.

Atij i erdhi shansi për të dhënë kontribut për Kosovën A, por tani ka ide të tjera. Dëshiron të luajë për Suedinë, vendin ku ka lindur.

Pasi Alain Giresse publikoi listën, Kurtulush nuk u përgjigj në interesimin e KOHËS. Nuk është përgjigjur as të premten.

Ai është i lindur dhe i rritur në Suedi. Një pjesë të familjes ka thënë se e ka në Kosovë. Kurtulush është mbiemër turk.

“Është mbiemër turk, pasi gjyshërit e mi është dashur ta ndryshojnë atë pasi kanë lëvizur në Turqi nga Kosova. Gjyshi erdhi në Suedi në vitet 1960, kështu që babai im ka lindur këtu”, ka thënë Edvin Kurtulush në një intervistë më herët.

Në aspektin sportiv, vendimi i tij për ta lënë Kosovën për Suedinë mund të jetë i kuptueshëm. Suedia është në nivel dukshëm më të lartë se Kosova. Luan rregullisht në kampionate të mëdha. Por vendimi i Kurtulushit ka ngjallur valë zemërimi te tifozët e Kosovës. Në të kaluarën ka pasur edhe raste të tjera kur lojtarët e kanë shfrytëzuar Kosovën si formë presioni për të siguruar ftesë në përfaqësuese të tjera.

Kurtulush luajti për Halmstadin deri në fund të vitit të kaluar. Tani është te Hammarby, skuadër dukshëm më e madhe në Suedi. Po paraqitet mirë në elitën suedeze dhe kjo solli interesimin e Suedisë. Ai nuk ka luajtur ndonjëherë për të rinjtë e Suedisë dhe nuk është përmendur të ishte në planet e suedezëve.

“Pa dyshim që jam i zhgënjyer, por çfarë të bëj unë. Nuk mund të shkoj në Suedi dhe t’i them atij eja luaj për Kosovën. Ai ishte kapiten i ekipit U21. Ai ishte i kënaqur për vendimin që e ka marrë dhe vendimi i takon atij”, ka thënë përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse, për Kurtulushin.

“Edhe pse e kam ftuar te Kosova, nuk do të thotë se do të kishte minutazhë. Lojtarët i marrin vetë vendimet e tyre. Ne vetëm kemi mundur ta ftonim dhe kjo është e gjitha. Edhe pse po qesh, mund të them se jam tejet i zhgënjyer”, ka shtuar Giresse.

Te Suedia kanë konfirmuar se do ta angazhojnë Kurtulushin. Kishte procedurë para se Kurtulush të bashkohej me U21 të Kosovës. Tani ka procedurë para se ai të fitojë të drejtën të luajë për Suedinë. Duhet leja e FIFA-s.

“Procesi është në vazhdimësi, por para se FIFA të shpallë vendimin, Edvini nuk mund të përfaqësojë asnjë ekip nacional. Nuk mund të themi sa do të zgjatë, por do të bëjmë çka të mundemi për ta shpejtuar procesin. Nëse përfundon para se të mbyllet grumbullimi i ardhshëm, ideja është që ai të bashkohet me skuadrën”, ka thënë Stefan Petterson, drejtor i përfaqësueses së Suedisë.

Për vendimin të premten mbrëma ka folur edhe vetë Kurtulush.

“Dua vetëm të them se jam shumë krenar që Kosova më dëshiron në përfaqësuesen e saj A. Por përzgjedhja më ka prezantuar zgjedhjen që duhet të bëj. Kam nderin të dua dy vende, por edhe përgjegjësinë të marr një vendim që ndiej se do të jetë i duhuri. Për mua, Suedia dhe Kosova janë afër zemrës. Pasi jam i lindur dhe i rritur në Suedi, më duket e drejtë që Suedia është vendi që dua të përfaqësoj. Kam pasur disa biseda të mira me Janne Anderssonin dhe shpresoj që së shpejti mund ta quaj veten lojtar i përfaqësueses A të Suedisë. Procedura është duke u zhvilluar dhe shpresoj që mund të jem në grumbullimin e ardhshëm’, ka thënë Kurtulush për sajtin zyrtar të Hammarbyt, klubi i tij.

Edhe përzgjedhësi i Suedisë, Janne Andersson, është shprehur i lumtur që Kurtulush ka zgjedhur Suedinë.

Paraqitja me Kosovën për Kurtulushin më nuk është “shans”. Është mundësi e refuzuar. Dhe nuk pritet të jetë e fundit.