Sport

Mrekullia e Alissonit hapi rrugën për finale të “Championsit”

Ishte minuta e 95-të e ndeshjes së Premier Leagues ndërmjet Liverpoolit dhe West Bromwich Albionit më 16 maj të vitit 2021, kur edhe nisi rrugëtimi i “të kuqve” në Ligën e Kampionëve.

Ishte edhe momenti kur Alissoni iu bashkua skuadrës në sulm, në aksionin e fundit të ndeshjes, ndërsa rezultati ishte baras, 1:1.

Trent Alexander-Arnoldi harkoi bukur nga këndi dhe Alissoni ishte aty për të shënuar për epërsinë e Liverpoolit, 2:1. Ishin pikët vendimtare që ia siguruan ekipit të tij kalimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Sipas statistikave të “Optas”, ishte hera e parë në historinë e Liverpoolit që një portier shënon gol në garë dhe ai gol ia dhuron skuadrës tri pikë.

Ajo fitore bëri që Liverpooli të dilte në pozitën e katërt, pasi Chelsea e mposhti Leicesterin. Këto dy ekipe dështuan t’i fitonin ndeshjet e fundit, dhe Liverpooli përfundoi i treti.

Kur ka kaluar pak më shumë se një vit që nga ajo ndeshje, Liverpooli e ka kaluar tërë rrugën në Ligën e Kampionëve, dhe do të luajë në finale kundër Real Madridit të shtunën.