Herën e fundit që Karim Benzema ishte në një finale të Ligës së Kampionëve, ai ishte në një rol mbështetës ndaj Cristiano Ronaldos. Në fakt, ishte vetëm një tjetër sulmues në një ekip të Real Madridit, në të cilin Ronaldo tërhoqi më shumë vëmendjen. Do të jetë shumë ndryshe kur Benzema të dalë në fushë këtë fundjavë në finalen kundër Liverpoolit, që luhet në periferi të Parisit.
Benzema është kthyer nga një prej ndihmësve të Ronaldos në lojtarin më të rëndësishëm të Real Madridit dhe të shtunën ai mund të mbyllë sezonin e tij më të mirë ndonjëherë me një titull të pestë të Ligës së Kampionëve. Një fitore do t'u lejonte atij dhe disa lojtarëve të tjerë të Realit të barazohen me Ronaldon për më së shumti trofe të Ligës së Kampionëve. Gjithashtu do ta linte sulmuesin francez në një pozicion komandues për të fituar çmimin “Topi i Artë” për lojtarin më të mirë të vitit.
“Jam shumë krenar”, tha Benzema të enjten. “Ka qenë një sezon vërtet i mrekullueshëm për mua për sa u përket golave, asistimeve dhe trofeve të fituar. Dhe, për këtë ndihem shumë i lumtur”.
Benzema shënoi 44 gola nga 45 ndeshje me klubin e tij këtë sezon dhe barazoi shifrat me të madhin, madrilenin Raul Gonzalez si golashënuesi i dytë më i mirë i klubit me 323 gola, pas Ronaldos që ka 451 gola të shënuar me fanellën e Realit. Qëkur ylli portugez u largua në vitin 2018, Benzema ka qenë vazhdimisht golashënuesi më i mirë i sezonit të Real Madridit. Ronaldo kishte qenë në atë rol në nëntë vjetët e mëparshëm.
“Nuk e di se ku do të qëndroj në historinë e klubit, duhet të presim përfundimin e karrierës sime për ta ditur këtë”, tha 34-vjeçari Benzema.
Nuk ka dyshim se ka qenë një vit historik për sulmuesin, i cili tashmë ka ndihmuar Realin ta fitojë titullin e kampionit në La Liga dhe Superkupën e Spanjës. Ai ishte golashënuesi më i mirë në ligën spanjolle me 27 gola, dhe në Champions me 15 gola nga 11 ndeshje. Benzema ishte vendimtar për Real Madridin në rrugën drejt finales evropiane, duke shënuar dhjetë gola vetëm në rundet e eliminimit, përfshirë “hat-trick” kundër Paris Saint-Germainit në 1/8 e finales dhe Chelseat në çerekfinale. Ai gjithashtu shënoi golin vendimtar në kohën shtesë që i lejoi Realit të eliminonte Manchester Cityn në ndeshjen e dytë të gjysmëfinales. Ai do të hyjë në finalen e së shtunës pasi ka shënuar 20 gola në 16 ndeshjet e tij të fundit në të gjitha garat. Benzema tha se nuk do të ndiejë ndonjë presion shtesë për shkak të suksesit të tij këtë sezon.
“Presioni i vetëm që do të kem është për të pritur të dal në fushë”, tha ai. “Ai do të zhduket sapo të dal. Përgatitja është e njëjtë. Duhet të kënaqemi dhe duam t'i bëjmë të lumtur tifozët. Jemi në formë të mirë, të fokusuar, duke u përgatitur deri të shtunën. Nuk ka presion, ne duhet ta shijojmë atë finale”.
Lojtarët e tjerë që mund të arrijnë pesë titujt e Ronaldos në Champions janë Gareth Bale, Dani Carvajal, Francisco Isco, Marcelo, Luka Modriq, Casemiro, Toni Kroos dhe Nacho Fernandez. Ata ishin të gjithë në skuadrën që fitoi tre tituj evropianë radhazi nga viti 2016 deri në vitin 2018. Benzema kishte një rol kryesor në finalen e vitit 2018 kundër Liverpoolit, duke hapur rezultatin në fillim të pjesës së dytë të fitores 3:1 në Kiev. Ai shpreson se mund ta kalojë sërish këtë herë Realin në epërsi.
“Ata nuk kanë ndryshuar shumë për katër apo pesë vitet e fundit”, tha Benzema. “Duhet të fokusohemi në lojën tonë. Eliminuam PSG-në, Chelsean dhe Cityn, të cilët ishin favoritë. Jemi duke shkuar në Paris me besim të madh. Çdo gjë mund të ndodhë në një finale”.