Sport

Shabani të shtunën lufton për medalje të bronztë në Evropianin e karatesë

Elhami Shabani të shtunën do të garojë për medalje të brozntë në Evropianin e Karatesë që po mbahet në Gaziantep të Turqisë.

Karateisti i kategorisë deri në 75 kilogramë u ndal në luftën e tretë. Ai u mposht nga karateisti turk Erman Eltemur, ndërsa në luftën e parë në repesazh mposhti karateistin nga Danimarka, Mads Larsen Viberg.

Luftën e radhës për medalje të bronztë e ka të shtunën kundër karateisti nga Bosnja, Hamza Turulja. Vetëm Shabani ka vazhduar tutje garën në ditën e parë prej garuesve që garuan të mërkurën. Fortesa Orana e kategorisë mbi 68 kilogramë u ndal në luftën e dytë nga karateistja skoceze, Niamh Junner. Në luftën e dytë u ndal edhe Adelina Rama e kategorisë deri 61 kilogramë. Ajo u eliminua nga karateistja franceze, Laura Sivert. Karateisti Melos Gashi i kategorisë deri 84 kilogramë u ndal në luftën e dytë nga serbi, Vladimir Brezançiq.

Në raundin e parë të Evropianit i pasuksesshëm ishte edhe Benjamin Shabani i kategorisë mbi 84 kilogramë. Ai humbi luftën e parë nga turku Faruk Omer Arslan. Me gjithë dështimin e shumicës së karateistëve, Federata e Karatesë e Kosovës e ka cilësuar të dinjitetshme paraqitjen e karateistëve. “Paraqitje e dinjitetshme sot në kampionatin Evropian për senior në karate nga të gjithë garuesit e sotëm. Presim angazhim maksimal edhe nga kategoritë e nesërme si dhe luftat ekipore.

Të gjithë në përkrahje të kampionit Elhami Shabani i cili me sukses u plasua në zonën e medaljeve”, shkruan në postimin e FKK-së të mërkurën mbrëma. Të enjten në tatami do të paraqitet Labinot Selmani i kategorisë deri 60 kilogramë. Ai përballë do ta ketë karateistin nga Ukraina, Nikita Filipov, ndërsa Shpresim Shabani në luftën e dytë do të përballet me belgun, Youness Amar Haj Oualad. Redona Gashi në kategorinë deri në 55 kilogramë do të ketë punë me Nur Kars të Zvicrës në raundin e parë, ndërsa Albulena Gërvalla në kategorinë deri 55 kilogramë do të luftoj me Luize Marija Muizniece.