Mesfushori i Liverpoolit, Thiago Alcantara, pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve kundër Real Madridit.
Ai mungoi të mërkurën në stërvitjen e Liverpoolit për shkak të lëndimit, por tek ekipi anglez besojnë se spanjolli do të paraqitet në finalen që do të luhet të shtunën mbrëma në Paris. Thiago dëmtoi nyjën e këmbës në ndeshjen e fundit të këtij edicioni ndaj Wolverhamptonit, të cilën Liverpooli e fitoi me rezultatin 3:1.
Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, pret që Thiago t’i bashkohet të enjten ekipit në stërvitje.
“Ai do të jetë në gjendje të stërvitet të enjten dhe ky është një lajm shumë i mirë. Besoj se do të mund të jetë i gatshëm për finale”, ka thënë Klopp.
Të mërkurën, Liverpoolit i mungoi edhe mesfushori tjetër, braziliani Fabinho, i cili nuk ka luajtur në tri ndeshjet e fundit për shkak të lëndimit. Fabinho sipas të gjitha gjasave do ta humbë ndeshjen me Realin. Megjithatë, të mërkurën në stërvitje është kthyer mbrojtësi Joe Gomez, i cili është rikuperuar pas mungesës në dy duelet e fundit të Liverpoolit.