Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviq, të mërkurën i është nënshtruar operimit të gjurit dhe do të duhet të pauzojë të paktën për tetë muaj përpara se të rikthehet në fushë për të luajtur. Lajmi është bërë i ditur nga skuadra e Milanit, që ka njoftuar se Ibra operimin e ka kryer në Francë për t’i dhënë fund problemit që e ka munduar periudhën e fundit. Ibrahimoviq i mungoi Milanit për pjesën më të madhe të sezonit 2021/22, në të cilin arriti të kurorëzohet me titullin e kampionit pas 11 vjetësh pritjeje.
Suedezi 43-vjeçar regjistroi 23 paraqitje në Serie A, kryesisht duke u inkuadruar nga banka e rezervistëve.
“Operacioni i Ibrahimoviqit është kryer me sukses dhe bazuar në prognozat, ai do të qëndrojë jashtë fushës rreth shtatë apo tetë muaj”, thuhet në njoftim. E kur të kthehet në fushë, Ibrahimoviqi do të jetë 41-vjeçar. Pasi Milani e fitoi titullin të dielën e shkuar, Ibra tha se do të vazhdojë të luajë vetëm nëse ndihet mirë pasi pranoi se muajt e fundit ishin të vështirë për të. Kontrata e tij me Milanin i skadon në fund të muajit të ardhshëm.