Sport

Salahu me mision hakmarrës ndaj Realit

Mohamed Salah mund të kishte dhënë lehtësisht llojin e përgjigjes diplomatike të ndjekur nga shumica e lojtarëve të futbollit. Por ai thjesht nuk mundi. A kishte një preferencë, u pyet Salah pak minuta pasi Liverpooli arriti në finalen e Ligës së Kampionëve tri javë më parë, se me cilën skuadër do të përballej në Paris?

“Po”, tha Salah, duke shtrirë qafën dhe duke e kthyer kokën nga njëra anë në tjetrën, sikur të ishte duke u çlodhur për një lojë tjetër. “Dua të luaj me Real Madridin”.

Salah qartë nuk e ka harruar atë që ndodhi në finalen e vitit 2018 kundër Real Madridit në Kiev. Ai momenti i dhimbshëm në pjesën e parë kur pas duelit me Sergio Ramosin ra rëndë në tokë, duke zhvendosur shpatullën e majtë. Disa e krahasuan atë me një manovër të stilit të mundjes nga dinaku Ramos, i cili u duk se fiksoi krahun e djathtë të Salahut dhe e rrokullisi përpara. Salah u largua nga fusha në lot dhe e pa pjesën e mbetur të ndeshjes në televizorin që ishte në dhomën e zhveshjes, ndërsa Liverpooli, i privuar nga golashënuesi i tij i mundshëm, humbi 3:1. Katër vjet më vonë dhe Ramosi nuk është më në Madrid, me spanjollin që sapo ka arritur në fund të një sezoni të parë të prekur nga dëmtimet te Paris Saint-Germainin. Kjo nuk e ndaloi Salahun të postonte “ne kemi një rezultat për të zgjidhur” në Twitter, pasi Madridi iu bashkua Liverpoolit në finalen e së shtunës duke prodhuar një rikthim të mahnitshëm në ndeshjen e dytë gjysmëfinale kundër Manchester Cityt.

“Mendoj se është koha e hakmarrjes”, ka thënë Salah në një intervistë tjetër për duelin me Realin.

Ai duket se është në një mision. Në fund të fundit, nuk është përtej mundësive që kjo të jetë finalja e fundit që ai luan për Liverpoolin, duke qenë se ai ende nuk ka arritur marrëveshje për kontratën e re. Negociatat me sa duket janë në bllokim, dhe aktualisht Salah ka edhe një vit në kontratën e tij dhe është i lirë të flasë me klubet e tjera prej janarit. Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp, është shfaqur i sinqertë për të gjithë, por ai si tifozët e klubit duhet të jetë pak i shqetësuar për një ndarje të mundshme. Çështja nuk është te paratë, sipas Salahut, i cili ka thënë se nuk po kërkon “gjëra të çmendura” dhe thjesht dëshiron të vlerësohet për gjithçka që ka bërë për klubin. Liverpooli ka kohë që ka siguruar sulmin për të ardhmen duke nënshkruar me tre sulmues gjatë dy vjetëve të fundit - Diogo Jotan në vitin 2020, Luis Diazin në janar dhe Fabio Carvalhon nga Fulham këtë javë. Sadio Mane dhe Roberto Firmino janë ende aty, por largimi i Salahut do të përfaqësonte një humbje të madhe për klubin, veçanërisht kur rivali i madh Manchester City ka forcuar sulmin me Erling Haalandin.

Salah sapo ka përfunduar një sezon në Premier League si golashënuesi më i mirë, për herë të tretë në pesë vjetët e tij në Liverpool, duke ndarë çmimin me sulmuesin e Tottenhamit, Son Heung-min me 23 gola. Salah pati gjithashtu më së shumti asistime, 13 sosh. Për gjysmën e parë të këtij sezoni ai u konsiderua si lojtari më në formë në futbollin botëror duke shënuar 10 gola në nëntë ndeshjet e tij të para. Megjithatë, Salah nuk ka qenë aq i dobishëm që nga kthimi i tij prej Kupës së Afrikës në muajin shkurt, me Diazin që ka tërhequr një pjesë të vëmendjes, por egjiptiani mbetet fituesi më i mundshëm i ndeshjeve të Liverpooli - njeriu tek i cili Klopp mbështetet për golat më shumë se kushdo tjetër.

“Sezoni i çmendur”, tha Klopp për Salahun, i cili tashmë është vlerësuar si lojtari i vitit nga futbollistët në Angli dhe është i preferuari i gazetarëve britanikë për të fituar votën edhe mes kolegëve të tij profesionistë.

Ky është kalibri i lojtarit që Madridi do të përballet të shtunën, dhe të cilin skuadra spanjolle mund të dëshirojë ende ta blejë, pasi sapo ka humbur nënshkrimin e Kylian Mbappes nga Paris Saint-Germaini. Para së gjithash, Salah - siç tregohet nga komentet e tij të fundit rreth ndeshjes - dëshiron të hakmerret për atë që ndodhi në vitin 2018.