Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, e ka përmbushur misionin e tij te skuadra e Mallorcas. Ai ka ndihmuar në arritjen e synimit të klubit, që ishte mbetja në La Liga edhe për edicionin e ardhshëm.
Në fakt Muriqi dha kontribut në ndeshjen e fundit, në udhëtim te Osasuna, që Mallorca e fitoi për ta konfirmuar pjesëmarrjen në elitën e futbollit spanjoll edhe për edicionin 2022/23. Në fitoren 2:0, Muriqi pati një asistim kurse Mallorca përfundoi në pozitën e 16-të në tabelë me 39 pikë të mbledhura.
Pas ndeshjes me Osasunan mori fund edhe aventura e Muriqit tek ekipi spanjoll, te i cili u huazua në fillim të këtij viti nga Lazio.
Te Mallorca ende nuk kanë marrë një vendim të prerë në lidhje me Muriqin, kartonin e të cilit Lazio e vlerëson 13 milionë euro. Mediumet spanjolle kanë raportuar se te Mallorca po mendojnë për ta shfrytëzuar opsionin e blerjes së Muriqit pas thirrjes së tifozëve. 28-vjeçari së bashku me tifozët e klubit ka festuar mbetjen në La Liga derisa kishte brohoritje “Muriqi qëndro”.
Në 16 paraqitje në kampionatin e Spanjës, Muriqi ka shënuar pesë gola dhe ka asistuar tri herë. Ai nuk ka folur në lidhje me të ardhmen e tij, por ka thënë se Mallorca e ka merituar plotësisht që të sigurojë mbijetesën. Mallorca e ka vlerësuar lart prizrenasin.
“Mallorca e meriton të jetë në divizionin e parë të Spanjës dhe për këtë jam shumë i lumtur e krenar”, ka thënë Muriqi për sajtin zyrtar të klubit. “E kemi ditur se nuk do të jetë lehtë, sidomos ndeshja e fundit që ishte tejet e vështirë. Edhe pse patëm vështirësi ne e arritëm qëllimin dhe për këtë duhet falënderuar tifozët që nuk u ndalën se përkrahuri për 90 minuta”.
Muriqi do të kthehet te Lazio, ekip me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2025. Ai megjithatë nuk vlerësohet se ka të ardhme te ekipi nga Serie A pasi tashmë është nxjerrë në shitje. Muriqi iu bashkua Lazios për 20 milionë euro në verën e vitit 2020 pas paraqitjeve të mira që i pati me fanellën e Fenerbahçes. Mirëpo në Itali ai nuk arriti ta tregojë potencialin brenda një edicioni e gjysmë përpara se të huazohej te Mallorca. Në pjesën e parë të edicionit, Muriqi te Lazio pati vetëm një asistim në 15 paraqitje në të gjitha garat, në të cilat kryesisht u inkuadrua nga banka e rezervistëve. Ndërsa në edicionin e tij te parë te Lazio, Muriqi shënoi vetëm dy gola dhe bëri një asistim në 34 paraqitje në të gjitha garat.
Sipas mediumeve italiane gjasat janë të mëdha që Muriqi te kthehet në Turqi nëse Mallorca nuk vendos për blerjen e kartonit të tij, ndonëse tek ekipi spanjoll më herët janë distancuar nga një gjë e tillë për shkak të çmimit të lartë të vendosur nga Lazio.