Sport

Asnjë set i fituar nga volejbollistët e rinj kosovarë

Përfaqësuesja U22 e Kosovës në volejboll i ka përfunduar të dielën kualifikimet për Kampionatin Evropian që mbahet këtë vit. Ndeshjet e grupit E janë luajtur në Prishtinë, por nga ky fakt nuk kanë përfituar fare volejbollistët e rinj.

Ata i kanë humbur të gjitha tri ndeshjet e zhvilluara prej të premtes e deri të dielën. Kështu, Kosova U22 ka mbetur e fundit në grup pa pikë të fituar. Grupin e ka fituar Holanda, që triumfoi në të tri ndeshjet. Holanda është kualifikuar në Evropian.

Ndeshjen e tretë, të dielën, Kosova e luajti pikërisht ndaj Holandës. Pësoi 3:0 në sete. Në setin e parë volejbollistët kosovarë i morën 17 pikë. Në setin e dytë Kosova fitoi 19 pikë, ndërsa seti i tretë përfundoi 25:15 në të mirë të Holandës.

Kosova U22 nuk ka fituar ndonjë set në tri ndeshjet e zhvilluara. Të shtunën humbi 3:0 ndaj Sllovakisë. Madje humbja ishte bindëse. Kosova në dy sete i fitoi nga 13 pikë, ndërsa në setin e parë vetëm tetë.

Të premten ndaj Azerbajxhanit, Kosova mori 20 pikë, 17 e 11 pikë.

Si çdo federatë tjetër, edhe ajo e volejbollit ka nxjerrë “të mirat” nga gara në Prishtinë.

“Kosova përshëndetet nga kjo garë me tri humbje, por me një eksperiencë të madhe nga e cila mund të ndërtojë dhe të zhvillohet gjatë viteve në vazhdim”, ka shkruar FVK-ja.

Është bërë praktikë në Kosovë që dështimet sportive të arsyetohen me fitimin e përvojës.