Sport

KOK-u suspendon Federatën e Notit të Kosovës

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka marrë vendim që ta suspendojë Federatën e Notit të Kosovës.

Federata e Notit ka reaguar të shtunën, duke e quajtur skandaloz vendimin e KOK-ut.

“Bordi i Federatës së Notit duke u bazuar në vendimin e BE të KOK-ut mendon se një vendim i tillë bie ndesh me Statutin e KOK-ut dhe atë të FNK-së, dhe i njëjti vendim ka për qëllim që të ndërhyjë në punët e brendshme të FNK-së, ta prish një Federatë e cila është zhvilluar me shumë mund të madh dhe njëkohësisht të ndërhyjë në autonominë dhe prishjen e imazhit të Federatës”.

“Lufta e nisur nga Ismet Krasniqi para zgjedhjeve të KOK-ut, ku kishte ndërhyrje në zgjedhjet që u mbajtën në Federatat sportive në vitet 2020-21, po vazhdon edhe sot pa asnjë arsye. Andaj vendimet arbitrare të këtij lloji tregojnë më së miri për udhëheqjen të cilën po e aplikojnë në raport me Federatat të cilat nuk ju nënshtrohen presioneve, të cilat e dëmtojnë sportin në përgjithësi, e në këtë rast dëshirojnë ta dëmtojnë Sportin e Notit të Kosovës. BE i FNK-së është i vendosur që të mbroj Statutin dhe rregulloret në fuqi të Federatës së Notit, Federatës Evropiane dhe asaj Botërore edhe përkundër shantazheve tënjëpasnjëshme nga ana e BE të KOK-ut dhe Ismet Krasniqit”, shkruhet ndër të tjera në reagimin e Federatës së Notit të Kosovës.

Javë më parë, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv vendosi që FNK-së duhet t’i pranojë gjashtë klubet e notit që kanë bërë ankesë. FNK-ja nuk respektoi vendimin dhe BE i KOK-ut e suspendoi. FNK-ja e vlerëson të padrejtë vendimin e Gjykatës që funksionon në kuadër të KOK-ut.