E frustruar dhe e zhgënjyer nga dështimi për të përmbushur pritjet këtë sezon, Borussia Dortmundi tashmë po mendon për edicionin e ardhshëm. Ylli i ekipit, sulmuesi Erling Haaland, nuk do të jetë aty për të shënuar gola pasi transferimi i tij te Manchester City u zyrtarizua të martën. Megjithatë, te Dortmundi e kanë pritur largimin e tij këtë verë dhe klubi tashmë është zhvendosur për t’i adresuar problemet në repartet e tjera për sezonin e ri. Mbrojtësit Niklas Suele dhe Nico Schlotterbeck do t’i bashkohen Dortmundit për sezonin e ri nga Bayern Muencheni dhe Freiburgu, respektivisht. Shpresa është se ata mund të ndihmojnë në forcimin e një mbrojtjeje që ka pranuar 51 gola në Bundesligë deri më tani - rekordi më i keq për çdo ekip në shtatë pozitat e para në tabelë.
Dortmundi, gjithashtu, u zhvendos për të zbutur goditjen e largimit të Haalandit duke njoftuar nënshkrimin e sulmuesit Karim Adeyemi nga Salzburgu, megjithëse ai shihet më shumë si një zëvendësues i anglezit Jadon Sancho, i cili u largua verën e kaluar te Manchester Unitedi. Të tre të ardhurit e rinj janë reprezentues të Gjermanisë. Së bashku me objektivat e tjerë, ata supozohet të rrisin nivelin e ekipit dhe të rrënjosin një mentalitet fitues.
“Qëllimi është të krijojmë një grup që është në gjendje të fitojë ndeshje të mëdha”, tha trajneri i Dortmundit, Marco Rose, të enjten. “Ne duam të rreshtohemi në atë mënyrë që në fund të kemi mundësinë ta synojmë kreun e tabelës, saktësisht pozitën e parë”.
Shumë shpesh këtë sezon, skuadra e trajnerit Rose thjesht nuk arriti t’i përballonte ndeshjet e mëdha, duke u eliminuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, përpara se të binte në pengesën e parë të Ligës së Evropës, Rangersi. Ekipi i kategorisë së dytë , St. Pauli, e eliminoi Dortmundin në çerekfinale të Kupës së Gjermanisë, ndërsa mbeti prapa në garën për titullin e kampionit në Bundeligë pas humbjeve nga Bayerni, Leipzigu, Hertha Berlini, Freiburgu e Bourssia Moenchengladbachu. Bayer Leverkuseni e ka mposhtur me rezultatin bindës 5:2 Dortmundin në shtëpi. E pikë të humbura pati edhe ndaj Koelnit, Bochumit dhe Augsburgut. Dortmundi pret Hertha Berlinin të shtunën për ndeshjen e fundit të këtij sezoni në Bundesligë. Ndërsa, Hertha po lufton për mbijetesë, te Dortmundi kjo ndeshje nuk ka ndonjë vlerë për shkak se titullin e kampionit tashmë e ka fituar Bayerni, rivali i përjetshëm.
Humbja 3:1 e Dortmundit në Muenchen më 23 prill vetëm konfirmoi atë që kishte qenë prej kohësh e dukshme – se bavarezët do ta fitonin titullin e dhjetë rresht në Gjermani. Po ashtu, edhe te Bayerni e vuajtën mungesën e konkurrencës këtë sezon, pasi nuk patën një ekip të denjë për t’i sfiduar në rrugën drejt titullit. Tifozët e Dortmundit, të zhgënjyer me këtë sezon, vunë në dyshim vullnetin e lojtarëve për të luftuar për synimet e klubit.
“Nuk e kisha ndjenjën se skuadra dha gjithçka nga vetja këtë vit”, pranoi drejtori menaxhues i Dortmundit ,Hans-Joachim Watzke.
Tri përforcimet e deritanishme nuk kanë gjasa të përfundojnë aktivitetin e transferimeve verore të Dortmundit. Sebastian Kehl po merr detyrën nga Michael Zorc si drejtor sportiv dhe prioriteti i tij i parë do të jetë gjetja e një golashënuesi që mund të kompensojë disi humbjen e Haalandit. Ish-sulmuesi i Eintracht Frankfurtit, Sebastian Haller, që është tani tek Ajaxi, Hugo Ekitike (Reims) dhe Adam Hlozek (Sparta Pragë), janë të gjithë objektivat e raportuar të Dortmundit.
“Ne kemi nevojë për dikë tek i cili mund të mbështetemi në mënyrë që të jemi konkurrues”, tha Kehl. “Shpejtësia është e rëndësishme në futbollin modern, por ne gjithashtu kemi nevojë për një prani fizike”.
Objektiva të tjerë të mundshëm janë mesfushori i Wolfsburgut, Xaver Schlager, mbrojtësi i Hoffenheimit, David Raum, si dhe mbrojtësi i majtë i Borussia Mönchengladbachut, Ramy Bensebaini, i cili do të ribashkohej me ish-trajnerin e tij, Rose. Roman Buerki, Axel Witsel, Marcel Schmelzer, Marin Pongraçiq dhe mesfushori brazilian Reinier janë gati të largohen nga klubi, ndërsa e ardhmja e mbrojtësve Nico Schulz dhe Manuel Akanji është e pasigurt. Ky i fundit raportohet se është në kontakt me Manchester Unitedin. Mbrojtësi i majtë i Portugalisë, Raphael Guerreiro, është një tjetër që mund të largohet këtë verë nga Dortmundi. Bayerni, gjithashtu, do të lëvizë për të forcuar skuadrën e tij, kështu që mbetet për t'u parë nëse rindërtimi i Dortmundit mund ta afrojë atë me fuqinë bavareze.
“I njëjti kampion, për dhjetë vjet me radhë, nuk mund të vazhdojë kështu përgjithmonë”, tha Watzke.