3 perditesime
17:28

Batatina: Gabimet në mbrojtje na kushtuan me humbje

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është shprehur i dëshpëruar me humbjen ndaj Gjilanit, të dielën me rezultatin 4:2.

Trajneri i llapjanëve ka thënë se gabimet në fazën defansive i kushtuan me humbje skuadrës së tij. Batatina ka pasur pakënaqësi edhe në gjyqtarin kryesor të ndeshjes, Alban Shala.

“Mendoj që nuk kemi qenë në element. Kemi siguruar Evropën dhe jemi duke menduar për finale të Kupës. Fokusi është në finale. Ndryshimet në formacion kanë qenë që të jemi sa më të gatshëm për finale. Nuk është dashur ta humbim ndeshjen pasi e barazuam rezultatin. Kemi pasur gabime në fazën defanzive të cilat na kushtuan”, ka theksuar Batatina.

“Një ndeshje që prodhoi gola dhe për shikues ka qenë atraktive. Mendoj që Gjilani arriti t’i shfrytëzoj gabimet e fazës defanzive nga ana jonë. Ne kemi pranuar gol pasi pas barazimit e kërkuam edhe golin e epërsisë. Kemi luajtur shumë mirë, por gjyqtari nuk na lejoj të luajmë futboll. Një referim të tillë nuk e meriton Superliga, pasi ka avancuar dhe ka shkuar përpara. Madje ka hezituar në disa raste të konsultohet edhe me sistemin VAR”, shtoi Batatina.

17:24

Te Gjilani e vlerësojnë të merituar fitoren ndaj Llapit

Trajneri i Gjilanit, Alban Hyseni, është shprehur i lumtur me fitoren e arritur në Podujevë të dielën ndaj Llapit.

Gjilani fitoi 4:2. Hyseni beson se fitorja ishte e merituar, pas lojës së treguar në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

“Një fitore e rëndësishme. Ndeshjen e filluam shumë mirë, por kishim presion kur pësuam golat e barazimit. Përkundër kësaj vazhduam me tempo të njëjtë dhe arritëm të rikthejmë epërsinë. Nuk kemi bërë plane të mbrohemi, por momentet e ndeshjes kanë bërë që të kthehemi prapa. Nuk kemi ardhur për t’u mbrojtur por për ta fituar ndeshjen. I përgëzoj lojtarët për paraqitjen në këtë takim pasi dhanë maksimumin”, deklaroi Hyseni.

17:01

Gjilani fiton ndaj Llapit në Podujevë

Gjilani ka shënuar fitore bindëse në udhëtim te Llapi, me rezultatin 4:2. Ndeshja e së dielës i ka takuar xhiros së 34-t në Superligën e Kosovës në futboll. Në këtë ndeshje ka shkëlqyer sulmuesi Blerim Krasniqi që realizoi “hat-trick”.

Në minutën e tretë të ndeshjes, Krasniqi kaloi në avantazh Gjilanin, 1:0. Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë. Në minutën e 79-të, Llapi arriti të barazoi rezultatin me anë të Bianor Neto. Vetëm tre minuta më vonë ishte sërish Krasniqi që kaloi në epërsi Gjilanin prej 2:1.

Llapjanët nuk u dorëzuan dhe realizuan sërish me Neton për 2:2 në minutën e 87-të. Vetëm një minutë më vonë Krasniqi kompletoi “hat-trickun” për rezultatin 3:2 në të mirë të Gjilanit.

Golin e katërt të Gjilanit e realizoi Shend Kelmendi në minutat shtesë të ndeshjes. Me këtë fitore Gjilani mbanë pozitën e dytë me 62 pikë. Llapi renditet në vendin e katërt me 54 pikë.

15:54

Gjilani në epërsi ndaj Llapit

Është mbyllur pjesa e parë e ndeshjes ndërmjet Llapit dhe Gjilanit, që po zhvillohet në stadiumin “Zahir Pajaziti”.

Në 45 minutat e parë është shënuar vetëm një gol nga skuadra e Gjilanit.

Golin e vetëm e shënoi sulmuesi Blerim Krasniqi në minutën e tretë të ndeshjes. Pra Gjilani ka shkuar në pushim me epërsinë prej 1:0.