Sport

Besa e pandalshme, fiton titullin pa humbur asnjë ndeshje

besa famgas, besa, sport, hendboll

Ndonëse e dhanë maksimumin, lojtarët e Prishtinës nuk kanë mundur t’u bëjnë shumë rezistencë hendbollistëve të skuadrës pejane, Besa Famgas.

Besa ka fituar 38:34 në kryeqytet dhe ka festuar titullin e kampionit të Kosovës në hendboll. Për Besën është vetëm titulli i radhës, të cilin e ka fituar me stil – pa humbur asnjë ndeshje, pa lëshuar asnjë pikë. Besa ka kohë që po dominon plotësisht në hendbollin kosovar dhe ka disa edicione që nuk pëson as humbje.

Në Superligë, Besa këtë edicion fillimisht shënoi 18 fitore në pjesën e rregullt e më pas dhjetë të tjera në Superligën A. Fitoi bindshëm dy herë ndaj Rahovecit në gjysmëfinale të plejofit e me dy fitore kaloi Prishtinën në finale.

Për ekipin pejan është titulli i nëntë rresht dhe i 16-ti pas luftës. E para ishte edhe në edicionin 1995/96 e 1996/97.

Besa ka në përbërje reprezentues të Kosovës e po ashtu katër të huaj, duke përfshirë legjendën e Bosnjë-Hercegovinës, Nikola Prce, dhe ish-reprezentuesin e Spanjës, Victor Alonso. Prce është kapiten i skuadrës.

Tre prej reprezentuesve të Kosovës, Egzon Gjuka, Kastriot Jupa e Deniz Terziqi, ishin më efikasit te Besa të enjten. Gjuka i shënoi nëntë gola, Jupa tetë, ndërsa Terziqi pesë.

Te Prishtina më efikasi ishte Agon Bajqinovci me 8 gola. Nga 5 i shënuan Vlerson Zherka e Yll Visoka. Prishtina ishte para në rezultat në 15 minutat e parë, por më pas pejanët morën kontrollin dhe ruajtën epërsinë bindëse.

Prishtina stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e dytë, por asnjëherë gjatë këtij kampionati nuk rivalizoi seriozisht Besën.

Besa shquhet edhe për stabilitet financiar dhe kjo ka bërë dallimin tashmë një dekadë. Vazhdimisht ka pasur në përbërje lojtarë të huaj cilësorë, pos atyre të vendit.

Të mërkurën titullin e kampionit te hendbollistet e fitoi Istogu.