Sport

Kili synon t’ia zë vendin Ekuadorit në Botëror

Kili e ka sfiduar Ekuadorin nëpërmjet një rasti ligjor për biletën e Kupës së Botës. Kili synon vendin e Ekuadorit, duke pretenduar se një lojtar nuk ka pasur të drejtë loje për këtë përfaqësuese.

Federata e Futbollit e Kilit ka kërkuar nga FIFA që ta hetojë rastin. Kili pretendon se futbollisti i Ekuadorit, Byron Castillo, është në fakt kolumbian dhe nuk ka pasur të drejtë të luajë në ndeshjet kualifikuese.

Kjo ankesë vjen një muaj pasi kanë përfunduar ndeshjet kualifikuese të Amerikës së Jugut.

Ekuadori veçse e ka mësuar grupin për Botëror. Do të luajë kundër Katarit, Holandës dhe Senegalit.

“FIFA mund të konfirmojë se ka marrë një ankesë zyrtare nga Federata e Futbollit e Kilit në lidhje me këtë çështje”, thuhet në një deklaratë nga trupi qeverisës i futbollit.

FIFA nuk ka dhënë ndonjë afat kohor për marrjen e vendimit final.

Botërori i Katarit nis më 21 nëntor.

Ekuadori ishte në vendin e katërt në grupin me dhjetë skuadra në kualifikimet e Amerikës së Jugut, dhe siguroi kalimin direkt në Botëror.

Peruja e vendit të pestë do të luajë në plejof muajin tjetër kundër Australisë apo Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kili mbeti në vendin e shtatë, shtatë pikë prapa Ekuadorit, por argumenton se mund të avanconte nëse do t’i fitonte ndeshjet ku Castillo ishte i përfshirë.

Rregulli i FIFA-s për lojtarët që nuk kanë të drejtë loje thotë se skuadra tjetër fiton me rezultatin zyrtar, 3:0, nëse ndodh kjo.

Në kualifikimet e Amerikës së Jugut për Botërorin e vitit 2018, Bolivia i humbi dy ndeshje për shkak të inkuadrimit të një lojtari pa të drejtë loje.

FIFA kishte marrë ankesa nga Kili dhe Peruja për mbrojtësin e Bolivisë, Nelson Cabrera, i cili u lind në Paraguai dhe më herët kishte luajtur për këtë përfaqësuese.

Bolivia e humbi këtë rast në Gjykatën e Arbitrazhit për Sport.

Por ky rast e dëmtoi Kilin. Tri pikët ekstra të dhëna për Perunë, e ngritën atë mbi Kilin, dhe më pas e fitoi plejofin.