Sport

Prishtina mposht Prizrenin, barazon serinë çerekfinale

Sigal Prishtina

Sigal Prishtina ka triumfuar ndaj Prizreni-16 për ta barazuar në 1:1 rezultatin në serinë çerekfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.

Pas humbjes në ndeshjen e parë në Prizren, skuadra e Prishtinës ka fituar në duelin e dytë që u luajt në kryeqytet, të dielën. Ndeshja përfundoi me rezultatin 98:89.

Ndeshja e tretë dhe vendimtare luhet në Prizren mesjavën e ardhshme.

Prishtina e nisi shumë mirë ndeshjen dhe pas vetëm tre minutave lojë kishte epërsi prej 15 pikëve, 15:0. Çerekun e parë, Prishtina e mbylli me avantazh prej 13 pikësh, 34:21.

Skuadra e Prizrenit, e fitoi çerekun e dytë, 31:21, por nuk arriti ta shkrinte epërsinë e Prishtinës, që thuajse gjatë tërë ndeshjes ishte para në rezultat.

Në fakt, Prizreni vetëm për një moment ishte në epërsi, në fund të periudhës së dytë, 46:45.

Në dy çerekët e fundit, Prishtina arriti ta mbajë epërsinë bindëse për ta barazuar rezultatin në serinë çerekfinale.

Meriton Ismaili ishte më i dalluari te Prishtina. Ai ndeshjen e mbylli me 25 pikë të shënuara, prej të cilave 18 i shënoi nga gjuajtjet për tri pikë. Henry Dugat shtoi 20 pikë, i përcjellë nga Jetmir Zeqiri me 19 pikë e 11 kërcime. Jan Palokaj e Jetmir Zeqiri shtuan nga 17 pikë. Zeqiri i pati edhe 11 kërcime.

Darrell Davis me 25 pikë e 14 kërcime ishte më i dalluari te Prizreni.

Skuadra që avancon në gjysmëfinale do të përballet me kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin, që stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e parë.