Sport

Xherdan Shaqiri synon titullin me Chicagon

Xherdan Shaqiri mund të paraqitet disa minuta në fushë te Chicago Fire të dielën, në derbin kundër Los Aangeles Galaxy pas lëndimit të pësuar në barazimin kundër Dallasit në fillim të këtij muaji. Shaqiri të enjten është paraqitur në konferencën për media para ndeshjes që Chicago e luan kundër klubit të madh në SHBA, LA Galaxy.

Përballja Chicago Fire – LA Galaxy është një nga ndeshjet më të mëdha këtë fundjavë në kampionatin MLS. Gazeta “AS” në versionin anglisht i ka kushtuar një shkrim këtij dueli, me theks të veçantë përballjes mes sulmuesit të LA Galaxyt, Chiccharito Hernandezit, dhe të sulmuesit tjetër të krahut, Xherdan Shaqirit të Chicago Fires.

Futbollisti meksikan është në formë të mirë me pesë gola në gjashtë ndeshjet e para të sezonit te LA Galazy, ndërsa në anën tjetër është Shaqiri që po konsiderohet si vlerë e shtuar e kampionatit MLS. Shaqiri ka një gol dhe dy asistime deri më tani te Chicago. Ai u detyrua që në duelin ndaj Dallasit ta dorëzojë shiritin e kapitenit pasi u largua nga fusha në minutën e 19-të shkaku i lëndimit. E ky takim përfundoi pa fitues.

“Ndihem mirë të jem i sinqertë dhe tani jam i përditshëm në stërvitje, dhe ka mundësi të jem edhe në fushë”, ka thënë Shaqiri në konferencën për media para ndeshjes me LA Galaxy.

Shaqiri është pyetur edhe për përshtypjet e deritashme të kampionatit MLS. Ai ka thënë se në SHBA është transferuar për të fituar trofe.

“Nuk jam befasuar me të vërtetë se sa e mirë është liga, sepse e dija që po rritet, se si lojtarët po rriten dhe po përparojnë. Shumë lojtarë të rinj të MLS-së po shkojnë në Evropë, kështu që mund të shihni se cilësia po përmirësohet çdo vit dhe klubet po investojnë në lojtarë për të fituar trofe. MLS-ja është shumë konkurruese dhe jam shumë i lumtur dhe po kënaqem duke qenë këtu”, ka thënë Shaqiri.

Ylli shqiptar i Zvicrës ka pasur një ndikim të menjëhershëm dhe ka udhëhequr Chicago Firen në startin më të mirë në nëntë vjetët e fundit. Herën e fundit që Chicago Fire fitoi Kupën MLS ishte viti 1998 dhe qëllimi kryesor i sulmuesit të krahut është t’i kthejë trofetë e munguara.

“Nuk kam ardhur si turist këtu, kam ardhur për të punuar. Dua ta çoj ekipin drejt lavdisë dhe ky është qëllimi im. Gjithashtu, dua ta ndihmoj këtë skuadër të rritet, të konkurrojë me skuadrat më të mira në ligë dhe të përpiqet të fitojë trofe”, shtoi Shaqiri, cili beson se Chicago mund të përmirësohet edhe më shumë në ndeshjet e ardhshme.

Futbollisti 30-vjeçar, pjesë e Chicago Fire u bë në shkurt të këtij viti, ndërsa ka kontratë deri në fund të vitit 2024. Te klubi amerikan u transferua nga Lyoni i Francës. Karrierë ka bërë edhe te Baseli, ndërsa në nivel të lartë evropian ka luajtur për Bayernin, Interin dhe Liverpoolin. Me Bayernin dhe Liverpoolin ka fituar Ligën e Kampionëve, e po ashtu edhe trofe të tjerë të shteteve përkatëse. Ka luajtur edhe për Stoke Cityn në Premier League të Anglisë. Për Zvicrën ka luajtur 102 ndeshje dhe ka shënuar 26 gola.