Këtë herë, vetëm mbrojtja nuk do të jetë e mjaftueshme për të mbajtur gjallë shpresat e Atletico Madridit në Ligën e Kampionëve. Skuadra e Diego Simeones ka nevojë për sulmin e saj që të zgjohet, nëse dëshiron të kapërcejë humbjen 1:0 në ndeshjen e parë nga Manchester City në çerekfinale të kësaj gare. Atletico mbeti pa gola dhe pati gjithsej një goditje në portë në dy ndeshjet e saj të fundit. Për të arritur në gjysmëfinalen e parë të Ligës së Kampionëve që nga viti 2017, Atletico ka nevojë për shkëlqimin e sulmuesve kur City do ta vizitojë stadiumin “Wanda Metropolitano”.
Dueli i kthimit luhet të mërkurën prej orës 21:00. Joao Felix, Antoine Griezmann dhe Luis Suarez së bashku kanë shënuar vetëm katër gola që nga fillimi i marsit - dy nga Felix dhe dy nga Suarez në të njëjtën ndeshje të ligës spanjolle. Matheus Cunha dhe Angel Correa, sulmuesit e tjerë të Atleticos, gjithashtu nuk kanë ndihmuar shumë kohët e fundit, duke qenë të paaftë për të shënuar që nga muaji shkurt.
Përveç dy golave kundër Alavesit të vendit të fundit më 2 prill, Felix është pa gola në gjashtë ndeshje në të gjitha garat. Suarez nuk e ka gjetur rrjetën që nga 19 shkurti. Sulmuesi 35-vjeçar nga Uruguai ishte kyç për Atleticon në titullin e kampionit të La Ligas edicionin e shkuar, por ka luajtur një rol të zvogëluar këtë sezon. Megjithatë, Griezmann po vuan më së shumti. Nuk ka shënuar gol në nëntë ndeshje rresht, seri kjo që daton prej muajit janar. Sulmuesi 31-vjeçar nga Franca u rikthye te Atletico këtë sezon pas një periudhe të dobët me Barcelonën, por nuk i ka përmbushur plotësisht pritjet. Simeone pushoi Felixin kundër Mallorcas të shtunën dhe filloi me Suarezin e Griezmannin në sulm, por u mposht 1:0 dhe mbeti në pozitën e katërt në tabelë kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund të sezonit. Në fakt, Atletico është në rrezik për të mos siguruar një vend në Ligën e Kampionëve për edicionin e ri. Atletico pati vetëm një goditje në portë kundër Mallorcas së kërcënuar për rënie nga elita dhe asnjë në ndeshjen e parë çerekfinale kundër Cityt. Përveç betejave sulmuese, rekordi i fundit i Atleticos në shtëpi në garat evropiane ka qenë gjithashtu zhgënjyes. Nuk ka fituar në gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi në Champions, duke regjistruar katër barazime dhe dy humbje. Humbi nga Liverpooli dhe Milani këtë sezon, ndërsa barazoi kundër Portos në fazën e grupeve dhe Manchester Unitedit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales.
Për ta bërë situatën edhe më të keqe, stadiumi “Wanda Metropolitano” nuk do të jetë me kapacitet të plotë të mërkurën pasi UEFA akuzoi klubin për “sjellje diskriminuese” dhe urdhëroi mbylljen e një sektori prej 5,000 vendesh, pasi një tifoz i Atleticos u filmua duke bërë përshëndetje naziste në ndeshjen e parë në Manchester. Atletico do të duhet gjithashtu të shfaqë një pano të UEFA-s në atë sektor të stadiumit, me mbishkrimin “#NoToRacism”.
Mbrojtja e Atleticos, e cila e ka mbajtur skuadrën nën drejtimin e Simeones në vitet e fundit, ishte kryesisht efektive në Manchester dhe mund të forcohet nga rikthimi i Jose Maria Gimenezit, i cili humbi ndeshjen e parë për shkak të një dëmtimi muskulor. Mesfushori Hector Herrera mbetet të shihet nëse do të paraqitet në ndeshjen e kthimit, pasi po vuan nga një dëmtim i muskulit. Anulimi i rregullit të golave në udhëtim këtë sezon mund të jetë kyç për Atleticon, pasi nuk arriti të shënonte në Angli. Duke luajtur në fazën çerekfinale për herë të gjashtë në nëntë sezone, klubi spanjoll është në kërkim të trofeut të parë të Ligës së Kampionëve.