Sport

Aubameyang, dhurata falas e Barcelonës që po jep gola

“Një dhuratë nga parajsa”, ishte mënyra se si trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, e përshkroi ardhjen e Pierre-Emerick Aubameyang dhe sulmuesi, i larguar nga Arsenali, sigurisht që ka dhënë frytet e tij për ekipin spanjoll. Është e vështirë të mendohet për një blerje më të rëndësishme në janar se Aubameyangu, duke pasur parasysh ndikimin e tij në të ardhmen e afërt dhe afatgjate të Barçës. Deri në fund të sezonit, golat e Aubameyangut mund të jenë faktori më i madh në përfundimin e Barcelonës në topkatërshen e La Ligës, një arritje që mund të rezultojë transformuese.

Ai ka shënuar nëntë gola në 12 ndeshje deri më tani, duke përfshirë një “hat-trick” kundër Valencias dhe dy gola kundër Real Madridit. Mungesa e Ligës së Kampionëve sezonin e ardhshëm do të kishte prishur rimëkëmbjen financiare të Barcelonës dhe do të destabilizonte të gjithë projektin nën drejtimin e Xavit, i cili duket një emërim i zgjuar tani. Fati i Barcelonës është kthyer në mënyrë dramatike, saqë tani ka dy shanse për t'u kualifikuar në Ligën e Kampionëve. Mund të përfundojë në topkatërshe në La Liga, ku renditen në pozitën e dytë aktualisht, ose mund të triumfojnë në Ligën e Evropës, garë në të cilën janë favoritë të qartë. Barcelona përballet me Eintracht Frankfurtin të enjten në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Evropës, me fituesin që do të përballet me Lyonin ose West Hamin në gjysmëfinale. Largimi i 32-vjeçarit Aubameyang nga Arsenali në mes të sezonit vazhdon të shkaktojë debate në Angli, me disa që vënë në pikëpyetje vendimin e trajnerit Mikel Arteta për ta lënë sulmuesin të largohet falas, veçanërisht duke pasur parasysh vështirësitë e ekipit për të shënuar gola. Shumë thonë se mençuria e kësaj lëvizjeje do të varet tërësisht nga fakti nëse Arsenali përfundon në topkatërshen e Premier Leagues dhe kualifikohet në Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga sezoni 2016/17.

“Unë mendoj se problemi ishte vetëm tek ai dhe pasi mori këtë vendim, nuk mund t'ju them shumë, ai nuk ishte i lumtur dhe kaq. Unë nuk isha shumë i lumtur, isha shumë i qetë dhe kaq”, tha Aubameyang për Artetan.

Ndoshta më e rëndësishmja është se në janar, Arsenali dhe Barcelona kishin prioritete shumë të ndryshme. Ndërsa Arteta po ushqente dhe mbronte një ekip të ri të Arsenalit për të ardhmen, Barcelona donte të krijonte një skuadër afatshkurtër dhe të aftë për të shmangur katastrofën e afërt financiare. Problemet disiplinore të Aubameyang, mosha dhe mungesa e përgatitjes fizike bënë që ai të mos përshtatej më me vizionin afatgjatë të Artetas. Por golat, talenti dhe egoja e tij e bënë atë të përshtatshëm për një ekip të Barcelonës që ka nevojë për një rregullim të shpejtë.

“Auba ka qenë një dhuratë nga qielli”, tha Xavi. “Ai është një lojtar që është pozitiv, është ambientuar shumë mirë në zhveshtore. Ai përshtatet shumë mirë me nevojat e ekipit, ai shënon. Është privilegj ta kesh atë në ekip dhe ai do të kontribuojë shumë për ne”.

Mesfushori veteran mbrojtës i Barcelonës, Sergio Busquets, ra dakord me mendimin e trajnerit Xavi.

“Ai po punon shumë mirë”, tha 33-vjeçari. “Ai erdhi duke kërkuar më shumë minuta, por ai po i merr ato. Shpresoj që ai të vazhdojë të kontribuojë kështu, sepse ai është një djalë i mrekullueshëm. Marrja e tij në një transferim falas është një dhuratë”.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, konfirmoi se kontrata e Aubameyangut është deri në vitin 2025, por ka një klauzolë pushimi në fund të sezonit të ardhshëm, në vitin 2023. Ai do të jetë gati 34 vjeç deri atëherë dhe duket plotësisht e besueshme që Barcelona, ​​e cila ka ende borxhe të mëdha për të fshirë dhe një faturë të madhe pagash për të shkurtuar, do ta lërë të largohet Aubameyangu. Mund të ndodhë që pas një faze të parë mbresëlënëse, uria dhe dëshira e vetë Aubameyang të fillojnë të zbehen. Barça mund të përballet me të njëjtat probleme që përballoi Arsenali. Sido që të jetë rezultati, do të jetë ende e vështirë të argumentohet se marrëveshja për Aubameyang që t’i bashkohet Barçës nuk ishte një sukses i zhurmshëm. Nëse Aubameyang nuk bën asgjë tjetër, roli i tij për të shfajësuar Xavin dhe për të siguruar kualifikimin për në Champions këtë sezon do të ketë qenë i jashtëzakonshëm, dhe për këtë Barça duhet t’i jetë gjithmonë mirënjohëse sulmuesit nga Gaboni.