Komisioni i Garave i Superligës dhe i Ligës së Parë të Kosovës në futboll të martave regjistron ndeshjet që luhen në fundjavën paraprake. Kjo megjithatë nuk ka ndodhur këtë të martë. Në faqen e FFK-së nuk ka njoftim për mbledhje të Komisionit të Garave, ndërkohë që te tabela nuk është e evidentuar ndeshja mes Gjilanit dhe Ballkanit. Kjo ndeshje është luajtur të dielën, ndërsa është ndërprerë në minutat shtesë. Pasi Gjilani barazoi rezultatin (1:1), në fushë për të festuar hynë dhjetëra shikues. Dy prej tyre shfrytëzuan tollovinë e krijuar për të realizuar sulm të rëndë fizik ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri. Njëri e rrëzoi Frashërin, duke e shtyrë nga prapa, e një tjetër e shqelmoi në fytyrë.
Dy të dyshuarve u është përcaktuar paraburgimi prej 30 ditësh.
Por për ndeshjen duhet të pritet ende që të merret një vendim nga organet e FFK-së. Në të vërtetë vendimi i vështirë pritet të merret pas Kuvendit Zgjedhor të FFK-së që është caktuar për të mërkurën nga ora 11:00. Ndeshja ka gjasë që të regjistrohet me rezultat zyrtar në të mirë të Ballkanit, që do ta afronte këtë skuadër me titullin e kampionit.
Një vendim të vështirë e të ndjeshëm, Komisioni i Garave duket se ka vendosur ta marrë pasi të kryhet Kuvendi Zgjedhor. Këtë edhe e kishte paralajmëruar kryetari i KF Prishtina, Remzi Ejupi, që të dielën tha se vendimi nuk do të merret para Kuvendit për të shmangur reagimet e mundshme.
“Komisioni i Garave ka kërkuar deklarata shtesë nga klubet për ta plotësuar dokumentacionin. Dhe në momentin që kompletohet dokumentacioni, KG-ja mblidhet, mban takimin dhe e merr vendimin”, thuhet në një përgjigje të zyrës për media të FFK-së për KOHËN.
Në bazë të përgjigjes bëhet e qartë se Komisioni nuk është mbledhur.
Nga Ballkani e Gjilani nuk ka pasur ndonjë komunikatë tjetër për incidentin e rëndë që ndodhi të dielën. Edhe Gjilani vlerësohet pretendent për titull dhe ndeshja e të dielës ishte me shumë peshë. Ndeshja zyrtarisht është pezulluar.
Ndërkohë të martën Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar nga 30 ditë paraburgim dy të pandehurve, që dyshohet se sulmuan Frashërin.