Carlo Ancelotti e di më mirë se kushdo tjetër se sa shpejt mund të ndryshojnë gjërat te Real Madridi, përcjell AFP të martën. Pas rikthimit të bujshëm ndaj Paris Saint-Germainit, Madridi ishte euforik. Mundi një ekip nga elita evropiane, kishte poshtëruar një rival ekonomik, kishte neutralizuar Lionel Messin dhe shumë besonin se e kishte bindur Kylian Mbappen.
Reali ishte gati ta fitonte La Ligan dhe papritmas dukej si pretendues edhe në Ligën e Kampionëve. Tri javë më vonë avantazhi në ligë është ende i paprekur, falë një fitoreje të ngathët ndaj Celta Vigos të shtunën. Por “kredia” e Ancelottit është zhdukur.
Real Madridi udhëtoi të martën drejt Londrës pa Ancelottin, i cili nuk dihet nëse do të jetë në gjendje ta udhëheqë ekipin ndaj Chelseat në çerekfinale të Championsit. Ancelotti javën e kaluar rezultoi pozitiv me koronavirus dhe klubi ka vendosur të presë deri të mërkurën për të parë nëse italiani do të jetë në gjendje të udhëtojë.
Ancelotti, i cili mungoi ndaj Celtas, duhet të ketë një test negativ të mërkurën për t’iu bashkuar ekipit në Londër. Rezultati i ndeshjes mund të vendosë nëse ai do të vazhdojë si trajner i Realit edhe sezonin e ardhshëm. Kjo ndeshje ka rëndësi të madhe për klubin madrilen dhe pothuajse e gjithë puna e Ancelottit për tetë muaj mund të fshihet nëse Reali bën një paraqitje të dobët ndaj Chelseat.
Ka pasur kritika për Ancelottin, por dominimi në La Liga ka heshtur skeptikët. Humbja 4:0 ndaj Barcelonës në “Santiago Bernabeu”, kur Madridi lehtë mund të kishte pranuar gjashtë ose shtatë gola, ka sjellë dyshime në plan të parë, pasi ai rezultat shërbeu si një paralajmërim për atë që mund të vijë. Barça është 11 pikë prapa Real Madridit në tabelë, por skuadra e re e rilindur e Xavi Hernandezit po e përfundon sezonin si ekipi më i fortë në Spanjës. Për Ancelottin, humbja në “El Clasico” do të thotë se fitimi i La Ligës mund të mos jetë më i mjaftueshëm. Mënyra se si Reali do ta fitojë titullin me tetë ndeshje të mbetura deri në fund, dhe si do të kalojë kundër Chelseat, tani do të përcaktojnë fatin e Ancelottit.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, u takua me Ancelottin gjatë pushimit ndërkombëtar. Ndonëse Perez e siguroi Ancelottin se e ardhmja e tij ishte e sigurt, nevoja për bisedime ishte e rëndësishme. Kur Ancelotti u shkarkua nga Real Madridi në vitin 2015, një vit pasi fitoi Ligën e Kampionëve, ai më vonë pranoi se momenti që iu tha të takonte Perezin ishte kur ai e dinte për herë të parë se ditët e tij ishin të numëruara. Ardhja e Ancelottit verën e kaluar ishte një surprizë për të gjithë, përfshirë Ancelottin dhe Perezin. Ishte vetëm një bisedë rastësore mes tyre që pa se ideja u përhap dhe më pas mori formë shpejt.
“Gjithçka ndodhi shumë shpejt”, tha Anceloti në prezantimin e tij.
Kjo kontribuoi në ndjenjën se ky ishte një takim afatshkurtër, një takim që mund të kufizohej pa shumë bujë apo ndëshkime financiare. Nëse ka një ndarje këtë verë, nuk ka gjasa të jetë e hidhur. Me triumfin në La Liga, si Ancelotti ashtu edhe Perez do ta konsideronin këtë si sukses. Por emërimi i Ancelottit ishte ndoshta një reflektim i tregut verën e kaluar, kur kishte mungesë të trajnerëve kryesorë në dispozicion. Barcelona u përpoq të zëvendësonte Ronald Koemanin, por nuk gjeti zëvendësim të përshtatshëm sikurse Manchester Unitedi që vazhdoi me Ole Gunnar Solskjaerin. Juventusi u kthye te Maximiliano Allegri.
Këtë verë mund të ketë opsione më bindëse, me Mauricio Pochettinon që pritet të ndahet me PSG-në. Erik Ten Hag mund të jetë i përgatitur të largohet nga Ajax dhe Raul Gonzalez, ish-sulmuesi legjendar i Real Madridit, tashmë është i gatshëm ta marrë ekipin e parë pas tri vjetësh në krye të ekipit B. Në varësi të situatës së pronësisë në Chelsea, ndoshta edhe Thomas Tuchel mund të joshet nga Reali. Edhe nëse e ardhmja e Chelseat zgjidhet dhe Tucheli qetësohet, prania e tij në këtë ndeshje është e vështirë për Ancelottin, me gjermanin që përfaqëson llojin e trajnerit më të ri, më progresiv që Madridi e ka shmangur deri më tani, por mund të ketë nevojë nëse do të qëndrojë përpara Barcelonës së Xavit.
Një paraqitje pozitive duhet të jetë e mjaftueshme për të bindur Perezin se Ancelotti vlen edhe për edicionin e dytë, veçanërisht për faktin se Mbappe pritet t’i bashkohet në verë. Ancelotti ka një histori të lakmueshme për të nxjerrë më të mirën nga lojtarët kryesorë. Puna e tij me Vinicius Juniorin, i cili aktualisht luan në pozicionin e Mbappes, ka qenë transformuese. Por humbja do ta linte Ancelottin të pambrojtur, sidomos pasi kritikat ndaj tij janë shtuar pas disfatës në “El Clasico”.