Sport

Shifra të veçanta që mund të kalohen në botërorin “Katari 2022”

(FIFA.com) – Kampionati botëror “Katari 2022” do t’ua ofrojë mundësinë disa futbollistëve dhe disa përfaqësueseve për të vendosur rekorde të reja të turneut.

FIFA shikon për disa prej shifrave të veçanta të Botërorit që mund të kalohen në Katar.

123

Asnjë përfaqësuese nuk ka marrë më shumë kartonë të verdhë në Botëror se Argjentina, që i ka 123 sish. Brazili ka më së shumti kartonë të kuq, 11. Këto dy përfaqësuese prijnë në këtë statistikë prejse kartonët janë prezantuar në këtë turne. I treti në listën për kartonë të kuq është Uruguai (9), i cili shpreson që në Katar të mos arrijë numër dyshifror të kësaj statistike.

70

Anglia do ta luajë ndeshjen e 70-të në Botëror, kur do ta nisë fushatën në turneun e Katarit kundër Përfaqësueses së Iranit. Me 70 paraqitje, Anglia është e pesta në listë. Holanda do ta tejkalojë Suedinë në pozitën e dhjetë kur të përballet me Ekuadorin në ndeshjen e parë të botërorit “Katari 2022”, e cila do të jetë e 51-a për “tulipanët”.

27

Meksika ka humbur në turne një numër rekord prej 27 ndeshjeve dhe ka luajtur më shumë ndeshje (57) se çdo tjetër përfaqësuese që ende nuk ka fituar titullin e kampionit në Botëror. Meksika po ashtu është dy gola larg pranimit të 100 golave në Botëror, numri i tretë i më së shumti golave të pranuar pas Gjermanisë me 125 dhe Brazilit me 105 gola të pranuar.

20

Vetëm 11 lojtarë i kanë luajtur nga 20 ndeshje në Kampionatin Botëror. Ylli i Argjentinës, Lionel Messi, është vetëm një ndeshje larg kësaj shifre, ndërsa edhe Cristiano Ronaldo mund t’i bashkohet atij nëse arrin t’i bëjë tri paraqitje me Portugalinë në Katar. Në rast se Argjentina arrin në finale dhe Messi luan në të gjitha shtatë ndeshjet, atëherë Messi do t’i bashkohet Lothar Matthausit si lojtari me më së shumti paraqitje – 26.

10

Didier Deschamps e ka udhëhequr Francën në 12 ndeshje të Kampionatin Botëror, më shumë se çdo trajner tjetër që tashmë me vendin e tij është kualifikuar për turneun në Katar. Me edhe një ndeshje në krye të Francës, Deschamps do të arrijë shifrën që vetëm dhjetë trajnerë e kanë arritur në historinë e këtij turneu: Helmut Schon, Luiz Felipe Scolari, Mario Zagallo, Joachim Loew, Carlos Alberto Parreira dhe Oscar Tabarez.

8

Tetë trajnerë prej 29 përfaqësueseve tashmë të kualifikuara për Botërorin në Katar nuk janë shtetas të vendit që e përfaqësojnë. Në 21 kampionatet botërore të mëparshme, fituesit janë udhëhequr nga dikush që e kishte nacionalitetin e njëjtë sikurse përfaqësuesja.

4

Cristiano Ronaldo ka shënuar gola në katër botëror, një sukses që është arritur edhe nga Pele, Uwe Seeler e Miroslav Klose. Nëse ylli i Portugalisë shënon në Katar, atëherë do të jetë futbollisti i vetëm që ka shënuar gola në pesë kampionate botërore.

3

Në tre botërorët e fundit kampionët në fuqi janë eliminuar në fazën e grupeve: Italia në vitin 2010, Spanja në vitin 2014 dhe Gjermania në vitin 2018.