Te Villarreali e dinë shumë mirë se shanset për të kaluar Bayern Muenchenin në Ligën e Kampionëve do të varen kryesisht nga fakti nëse do të mund ta ndalin me sukses sulmuesin polak Robert Lewandowski. Dhe shpresat janë të mëdha duke marrë parasysh suksesin e fundit të ekipit kundër një tjetër sulmuesi kryesor.
Skuadra spanjolle vjen nga një triumf në 1/8 e finales ndaj Juventusit, ku mbrojtja e Villarrealit ndali sulmuesin Dushan Vllahoviq. Mbrojtësi i Villarrealit, Pau Torres, tha se skuadra ka përvojë të mjaftueshme për t'u përballur me disa nga sulmuesit më të mirë të botës dhe do të jetë gati për detyrën kur të përballen me Bayernin të mërkurën mbrëma.
“Këto janë sfidat që ne i gëzohemi më së shumti”, pranoi Torres. “Çdo sulmues ka stilin e tij dhe ne do të sigurohemi që të dimë se si t'i bëjmë gjërat të vështira për Lewandowskin. Ai është një sulmues shumë i kompletuar. Ndonjëherë duket sikur ai nuk po bën shumë, por në fund ai është gjithmonë një kërcënim”.
Torres u përball me Lewandowskin kur Spanja luajti ndaj Polonisë në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar. Ndeshja e fazës së grupeve u mbyll me rezultatin 1:1, me Lewandowskin që shënoi golin e barazimit në pjesën e dytë.
Vllahoviq shënoi kundër Villarrealit në ndeshjen e parë të 1/8 së finales, madje në minutën e parë të ndeshjes në stadiumin “La Ceramica”. Por, as sulmuesi serb dhe as shoku i skuadrës, Alvaro Morata, nuk mundën të gjenin rrjetën në ndeshjen e dytë në Itali. Juventusi u befasua në shtëpi nga Villarreali. Ekipi spanjoll triumfoi me rezultatin 3:0 për të avancuar në çerekfinale.
Villarreali gjithashtu u përball me Cristiano Ronaldon dy herë në fazën e grupeve, me sulmuesin që shënoi nga një gol në secilën prej fitoreve të Manchester Unitedit.
Lewandowski është golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve me 12 gola në tetë ndeshje. Ai ka më shumë se 50 gola këtë edicion për skuadër dhe përfaqësuese. Renditet i treti në listën e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të Championsit pas Ronaldos dhe Lionel Messit. Lewa ka shënuar shtatë gola në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
“Ai ka shifra shumë të mira dhe çdo skuadër do të donte të kishte lojtarë të tillë në radhët e veta”, tha Torres, i cili shënoi një nga golat në fitoren e Villarrealit ndaj Juventusit. “Ne duhet të bëjmë një punë të mirë për ta mbajtur atë dhe për të mos e lejuar të shënojë kundër nesh”.
Mesfushori i Villarrealit, Manu Trigueros, tha se trajneri Unai Emery – i cili është në çerekfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë – do ta përgatis skuadrën për t’u përballur me ekipin e fuqishëm të Bayernit.
“Ai i kushton vëmendje detajeve. Ai zbërthen gjithçka në mënyrë që lojtarët të kenë gjithçka sa më të lehtë që të jetë e mundur ose të kenë sa më shumë zgjidhje që u nevojiten para një ndeshjeje”, tha Trigueros. “Ne kemi shumë diskutime me të dhe ai është shumë llafazan. Ai kalon kohë me lojtarët. Të gjithë rreth tij shpenzojnë orë të tëra duke parë video në mënyrë që lojtarët të kenë gjithçka që u nevojitet”.
Villarreali në këtë ndeshje futet pas dy humbjeve rresht në La Liga. Disfata 2:0 nga Levante, e parafundit në tabelë, erdhi kur Emery nuk pushoi shumë prej titullarëve. Villarreal është fitues në fuqi i Ligës së Evropës dhe është kthyer në çerekfinale të Championsit për herë të parë që nga viti 2009. Kampanja më e mirë e ekipit spanjoll në Ligën e Kampionëve ishte në vitin 2006 kur arriti deri në gjysmëfinale, por u eliminua nga Arsenali.
“Villarreal ka një trajner me shumë përvojë dhe fitore në skenën ndërkombëtare,” tha trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann. “Ekipi është me shumë përvojë dhe ne do të duhet të kuptojmë se si ta shkatërrojmë atë”.