Sport

Kosova U19 fiton ndaj Estonisë

Futbollistet e përfaqësueses U19 të Kosovës e kanë nisur me fitore garimin në raundin e dytë të kualifikimeve për Evropianin e këtij viti. Kosova U19 garon në Grupin 4 të Ligës B, ndërsa të martën pasdite në Edinburgh të Skocisë u përball me Estoninë. Kosova fitoi 2:1.

Kapitenia Loreta Lulaj shënoi golin e parë në minutën e 45-të. Për 2:0 realizoi Fortesa Berisha në minutën e 52-të. Estonia ngushtoi rezultatin në 2:1 në minutën e 75-të, por gola të tjerë nuk kishte. Në grupin B4 janë edhe Skocia e Kazakistani.

Ndeshjen e ardhshme Kosova U19 e luan pas tri ditësh ndaj Kazakistanit. Në fakt prej Ligës B nuk mund të arrihet kualifikimi në Evropian. Kosova garon për të kaluar në Ligën A në kualifikimet e ardhshme. Vetëm vendi i parë në grup siguron avancimin në Ligën A për ciklin e ardhshëm kualifikues.