Asambleja e përgjithshme e Barcelonës e ratifikoi marrëveshjen me “Spotify” të dielën, ndërsa klubi e ka quajtur atë si marrëveshjen më të mirë në histori. Është thënë po ashtu se brendi do të jetë i lidhur me stadiumin “Camp Nou” të paktën për 12 sezone.
Kjo marrëveshje, fillimisht u njoftua në muajin mars, dhe u aprovua nga 89% të votave të dielën, në asamblenë e përgjithshme.
Mediat spanjolle kanë thënë se partneriteti me kompaninë e audio-transmetimeve, do t’i jap klubit më shumë se 400 milionë euro gjatë këtyre viteve.
Klubi ka thënë po ashtu se “Spotify” do të jetë i lidhur me “Camp Nou-n” gjatë katër sezoneve në të cilat do të kryhet puna rinovuese, ndërsa do të vazhdohet më pas edhe për tetë vite të tjera. Stadiumi do të ri-emërohet, dhe do të quhet “Spotify Camp Nou”.
“Spotify” do të shfaqet përpara, në fanellat e ekipeve të meshkujve dhe të femrave për katër sezone, që nis nga edicioni 2022/23, dhe do të jetë sponsor i fanellave të stërvitjeve për tre sezone, po ashtu në fillim të edicionit të ri.