Sport

Mungesa e gjatë e Norës në gara, pas shkëlqimit në ngjarjen më të madhe

Të premten fillon Grand Slami i Antalyas, garë elitare e xhudos. Pjesë e kësaj ngjarjeje nuk do të jenë xhudistët e Kosovës. Pra, as Nora Gjakova, kampionia olimpike nga “Tokio 2020”.

Në ngjarjen më të madhe sportive, Nora fitoi të artën në kategorinë deri 57 kilogramë. Gara e saj ishte më 26 korrik të vitit të kaluar. Prej atëherë Nora nuk ka garuar, ndonëse në stërvitje është kthyer pak javë më vonë dhe për kohë të gjatë ka ushtruar me intensitet të lartë.

Në të vërtetë është praktikë që kampionët olimpikë të pushojnë pak më gjatë pas Olimpiadave. Kjo vlerësohet e domosdoshme pas një periudhe të gjatë ushtrimesh të rregullta e të rënda dhe garave të forta që kulmojnë me suksesin më të madh të mundshëm.

Pushimi më i gjatë nga garat i ka shërbyer Norës.

“Prej Lojërave Olimpike kam pasur një muaj pushim. Dhe pasi përfundova pushimin fillova me përgatitje të plota. Janë bërë disa përgatitje që po marr pjesë dhe po mendoj se forma ime çdo ditë po bëhet më e mirë dhe po i kthehem rutinës që e kam pasur më herët”, ka thënë Nora Gjakova ditë më parë për KOHËN.

Deri në Lojërat e Tokios ajo është paraqitur shpesh nëpër gara, ndërsa vjet fitoi edhe medalje botërore e evropiane për të kompletuar një kapitull shumë të suksesshëm të karrierës.

Por, xhudistja pejane synon edhe më tepër. Evropiani që mbahet pas disa javësh mund të jetë gara e saj e rikthimit. Por, Nora dhe trajneri Driton Kuka nuk nguten.

Ajo do ta vazhdojë karrierën në kategorinë deri në 57 kilogramë. Natyrisht në ciklin e ri, atë për “Parisi 2024”, do të ketë xhudiste të reja që synojnë suksesin në këtë kategori. Dhe Nora do të jetë xhudistja që duhet mposhtur për të gjitha konkurrentet.

“Shumica e xhudisteve që i kam pasur në kategori po vazhdojnë të marrin pjesë. Shumë pak ka prej atyre që e kanë përfunduar karrierën dhe shumica do të jenë të njëjta. Por për mua është gjithçka në rregull, më konvenon”, ka shtuar Nora Gjakova.

Për periudhën jashtë garave, ajo thotë se ishte më shumë pushim i mendjes.

“Ka qenë një pushim i shkurtër dhe ka qenë një pushim i mendjes më shumë se i trupit. Kam pasur nevojë për këtë pasi kemi qenë të fokusuar jo vetëm për një apo dy vjet, por për shumë. Është pak e vështirë ta përgatitësh veten për të vazhduar me të njëjtin ritëm. Unë kam vendosur të vazhdoj edhe për një cikël olimpik dhe po mundohem ta kem fokusin në këtë drejtim”, ka theksuar Nora Gjakova.

Në Tokio medalje të artë olimpike kishte fituar edhe Distria Krasniqi. Ajo është kthyer menjëherë në gara, ndërsa e ka ndryshuar kategorinë. Kalimi në kategori të re ka bërë që të mos mungojë shumë nga garat.

Nora e Distria synimin e madh e kanë në “Parisi 2024”.

“Ndryshe nga herët e tjera, tash Lojërat janë shumë më afër dhe më presin rreth dy vjet drejt Lojërave Olimpike. Tash fillon edhe cikli olimpik dhe po i marrim të gjitha gjërat hap pas hapi. E rëndësishme është që ne ta kryejmë punën tonë, të ushtrojmë dhe të japim 100 për qind nga vetja në stërvitje. Besoj se edhe suksesi nuk do të mungojë. Normal, me punë mund t’ia arrijmë të gjithave dhe këtë tashmë e kemi dëshmuar”, thotë Nora Gjakova.

Kosova ka tri medalje të arta olimpike deri më tani. Të gjitha i kanë fituar xhudistet e trajnerit Driton Kuka.