Sport

E trimëruar nga paraqitja me Spanjën, Shqipëria kërkon fitore ndaj Gjeorgjisë

Futbollistët e Shqipërisë kanë marrë vlerësime pozitive për paraqitjen ndaj Spanjës në miqësoren e luajtur të shtunën në Barcelonë. Shqipëria humbi 2:1 nga Spanja, me gol të pësuar në minutat e fundit. Paraqitja është vlerësuar dhe ka trimëruar kuqezinjtë para sfidave të ardhshme.

Te Shqipëria kërkojnë fitore në miqësoren e dytë, që e luajnë kundër Gjeorgjisë në Tiranë, të martën nga ora 18:00.

Shqipëria ishte pranë barazimit historik ndaj Spanjës. Por, goli i Diego Olmos në minutën e 90-të shmangu barazimin.

Mbrojtësi Ardian Ismajli ka thënë se i vjen keq për rezultatin ndaj Spanjës. Ai pret fitore përballë Gjeorgjisë.

“U mërzita pak sepse luajtëm të gjithë mirë. Nuk e merituam këtë humbje. Besoj që ndeshja shkoi në përgjithësi mirë dhe për fat të keq e humbëm në fund. Mendoj që duhet të marrim një mësim nga kjo humbje, sepse brenda saj ka edhe disa gjëra pozitive. Do të na shërbejë për të ardhmen. Skuadra tani kuptohet më mirë në fushën e lojës dhe mbi të gjitha arrijmë të vëmë në vështirësi edhe një ekip si Spanja. Me pak fat mund të kishim shënuar ne të parët”, ka thënë Ismajli për gazetën tiranase “Panorama Sport”.

Ismajli insiston se Shqipëria kërkoi fitore përballë spanjollëve.

“Ashtu ishte, por futbolli i ka këto. Patëm edhe ambicie për ta fituar ndeshjen, sepse krijuam tri-katër kundërsulme dhe me pak fat mund të kishim shënuar edhe golin e fitores, por fatkeqësisht e pësuam edhe pse ishte një kryevepër e Olmos. Gjithsesi jemi krenarë, sepse mendoj se kemi bërë një paraqitje tepër të mirë. Për faktin që ne barazuam në minutën e 85-të dhe duhej të kishim bërë diçka më shumë për të marrë një barazim ndaj Spanjës. Shqipëria kundër këtij ekipi njeh vetëm humbje për fat të keq dhe ne ishim kaq pranë për ta thyer këtë ecuri negative ndër vite. Realisht më vjen keq edhe për shokët, sepse unë e di shumë mirë se me sa kujdes e kemi përgatitur duelin me Spanjën dhe se sa shumë kemi sakrifikuar në fushë”, ka theksuar Ismajli.

Ai ka folur edhe për mundësitë e Shqipërisë për Evropianin e vitit 2024.

“Mendoj se është shumë herët të flasim për edicionin e ardhshëm, por shihet qartë që skuadra po përmirësohet dhe ndeshje si kjo me Spanjën na bëjnë të vetëdijshëm për forcën tonë. Nëse korrigjojmë disa gabime, atëherë mund të shkojmë shumë larg, sepse kemi cilësi dhe shumë dëshirë”, ka thënë Ismajli.

Ndërkohë, sulmuesi Armando Broja u ka kërkuar tifozëve shqiptarë të jenë të pranishëm në stadium pasditen e së martës, në mbështetje të kuqezinjve.

“Përshëndetje tifozëve kuqezinj! Jam Armando Broja. Faleminderit shumë për suportin që na jepni gjithmonë dhe ishalla ju shohim në stadium kundër Gjeorgjisë! Faleminderit!”, ka thënë supertalenti shqiptar.

Edhe Marash Kumbulla thotë se paraqitja ndaj Spanjës ishte një hap i rëndësishëm për rritjen e Shqipërisë.