Klubi i basketbollit Prishtina në konkurrencë të femrave ka triumfuar në edicionin e parë të Ligës Unike. Në ndeshjen finale të “Final Fourit”, të zhvilluar të enjten mbrëma, në kryeqytet, Prishtina e mposhti Penzën me rezultatin e ngushtë 66:65 për t’u shpallur kampione e Ligës Unike.
Amerikania Tynice Martin ishte më e dalluara të Prishtina me 25 pikë, e përcjellë nga bashkëkombëset e saj, Stasha Carey e Sarah Mgbeike që regjistruan “double-double”.
Carey pati 15 pikë e 16 kërcime, ndërsa Mgbeike shtoi 14 pikë e 12 kërcime për ta ndihmuar Prishtinën në këtë finale.
Te Penza, u veçuan Hilaire Kalea (23), Narylin Mosquera me 20 pikë e 14 kërcime dhe kapitenia Valbona Bytyqi (12), por që nuk mjaftuan për të triumfuar në finale.
Ndërkohë, në ndeshjen për vendin e tretë, Bashkimi e mposhti Flamurtarin e Vlorës me shifrat 73:70.