Sport

Dybala nuk rinovon kontratën, largohet në verë nga Juventusi

Sulmuesi Paulo Dybala do të largohet nga Juventusi në fund të këtij edicioni si lojtar i lirë, pasi nuk ka arritur marrëveshje me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës.

“Calciomercato” shkroi se agjentët e Dybalas, të hënën janë larguar nga Torino pas takimit dy-orësh me krerët e Juventusit.

Mësohet se ata kanë refuzuar rinovimin e kontratës, pasi kushtet e ofruara ishin shumë më të këqija sesa ato që klubi ia kishte ofruar Dybalas në tetor të vitit të shkuar. Juventusi i kishte ofruar Dybalas rinovimin e kontratës për dy vjet me mundësi vazhdimi dhe pagë vjetore prej shtatë milionë eurosh, të cilën e merr aktualisht.

Dybala ka kërkuar pagë vjetore prej dhjetë milionë eurosh plus bonuset, kërkesë që është refuzuar kategorikisht nga Juventusi. Palët janë pajtuar që ndërpresin bashkëpunimin në fund të sezonit, kur Dybalas edhe i skadon kontrata.

Te Juventusi kanë pasur dyshime për Dybalan, i cili këtë edicion është përballur me lëndime të shumta.

Ai i ka munguar Juventusit në shumë ndeshje, ndërsa deri më tani, ka regjistruar 29 paraqitje ku ka shënuar 13 gola dhe ka bërë gjashtë asistime. 28-vjeçari është pjesë e Juventusit prej vitit 2015 kur iu bashkua nga Palermo për 40 milionë euro.