Sport

Dybala e Chiellini të gatshëm për Villarrealin

Trajneri i Juventusit, Massimiliano Allegri do të mund të llogaritë në sulmuesin Paulo Dybala dhe qendërmbrojtësin Giorgio Chiellini për ndeshjen e kthimit kundër Villarrealit.

Mediumet italiane kanë raportuar të hënën se Dybala dhe Chiellini janë stërvitur me pjesën tjetër të klubit dhe do të jenë gati për duelin e 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.

Juventusi, të mërkurën mbrëma e pret Villarrealin në Torino, pasi ndeshja e parë në Spanjë përfundoi me rezultatin 1:1.

Dybala i ka munguar Juventusit në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, ndërsa Chiellini nuk është aktivizuar në nëntë duelet e fundit. Dybala këtë sezon ka 12 gola e gjashtë asistime në të gjitha garat.