8 perditesime
22:06

Distria Krasniqi, sportistja më e mirë e vitit 2021

Distria Krasniqi është shpallur sportistja më e mirë në Kosovë për vitin 2021. Ajo vjet kishte fituar medaljen e artë olimpike e po ashtu medaljen e artë evropiane në xhudo.

Distria u shpall më e mira e vitit të enjten mbrëma në ceremoninë e Komitetit Olimpik të Kosovës.

“E falënderojë Tonin, klubin e xhudos Ippon, federatën, familjen time dhe gjitha ata njerëz që më kanë përcjellë dhe më kanë mbështetur gjatë familjes time. Shpresoj që një vit si 2021 të përsëritet. I uroj të gjithë sportistët për një vit pa lëndime dhe që t’i arrijnë synimet e veta”, ka thënë Krasniqi.

22:05

Akil Gjakova, sportisti më i mirë i vitit 2021

Kampioni evropian i xhudos, Akil Gjakova, është shpallur sportisti më i mirë i vitit 2021 në Kosovë. Shpalljen e më të mirëve po e bën Komiteti Olimpik i Kosovës.

Gjakova vitin e kaluar fitoi titullin e Evropës, ndërsa në Lojërat Olimpike u rendit i shtati, një tjetër sukses i madh.

21:47

Driton Kuka, trajner i vitit

Ashtu si pritej, Driton Kuka është shpallur trajneri më i mirë në Kosovë për vitin 2021. Kuka vitin e kaluar ka fituar dy medalje të arta olimpike me nxënëset e tij. Ka fituar edhe plot medalje të tjera në ngjarjet më të mëdha të xhudos.

Kuka është shpallur edhe trajneri më i mirë i vitit 2021 në botë.

“Viti më i suksesshëm i sportit shqiptar, sportit të Kosovës. Është kënaqësi që KOK-u e ka përkrahur xhudon në vazhdimësi. Kur kam kërkuar qetësi i kanë respektuar kërkesat e mia. Sonte dua t’ia dedikoj të gjitha sukseset Agronit, vëllait tim, që është kryetar i Federatës. Ai nuk shfaqet shumë, por ka barrë shumë të madhe. Të gjitha sukseset e vitit të kaluar ia dedikoj Agronit. E përshëndes edhe vëllain tjetër, Sylën. Janë suksese të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Kuka, ndër të tjera. Ai vazhdimisht e ka fituar çmimin e trajnerit më të mirë të vitit.

21:40

Çmimi për Merita të Veçanta i ndahet Majlinda Kelmendit

Majlinda Kelmendit i është ndarë Çmim për Merita të Veçanta nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Majlinda vjet i dha fund karrierës impresive si xhudiste. Ajo po punon tashmë si trajnere e xhudos. Majlinda nuk ishte në ceremoninë e KOK-ut për ta pranuar çmimin.

21:38

Kosova U17 në futboll, përfaqësuesja më e mirë te femrat

Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll është shpallur më e mira e vitit 2021 në konkurrencë të femrave.

Futbollistet deri 17-vjet kanë kaluar me sukses raundin e parë të kualifikimeve për Evropian.

21:30

Përfaqësuesja e hendbollit më e mira te meshkujt

Përfaqësuesja A e Kosovës në hendboll është shpallur më e mira e vitit 2021 në konkurrencë të meshkujve.

Gjatë vitit të kaluar përfaqësuesja e hendbollistëve kishte shënuar fitore historike ndaj Rumanisë.

Hendbollistët e Kosovës kanë arritur edhe disa suksese të tjera.

21:28

Çmime speciale për Nora Gjakovën e Amir Rrahmanin

Kampionia olimpike në xhudo, Nora Gjakova dhe kapiteni i Kosovës në futboll, Amir Rrahmani, janë nderuar me Çmime Speciale në ceremoninë e Komitetit Olimpik të Kosovës për shpalljen e më të mirëve në vitin 2021.

Nora gjatë vitit të kaluar ka fituar edhe medalje evropiane dhe medalje botërore.

“Faleminderit KOK-ut për vlerësimin. Vitin e kaluar jam përmbushur si sportiste me medalje të artë olimpike. Falënderojë Zotin që ka shpërblyer punën dhe sakrificën time”, ka thënë Nora Gjakova.

21:05

Muhamet Ramadani, shpresë olimpike te djemtë

Kampioni evropian në hedhje të gjyles për të rinj, Muhamet Ramadani, është shpallur Shpresë Olimpike e vitit 2021. Është ky çmimi kryesor për sportistët e rinj në ceremoninë e KOK-ut për shpalljen e më të mirëve për vitin e kaluar.

Ramadani vlerësohet atleti me potencialin më të madh në vend.

“Është çmim mjaft i rëndësishëm dhe është motiv për garat e ardhshme. E falënderoi babin tim, të cilin e kam edhe trajner. Ai ka bërë punë shumë të madhe. Tash presim medalje në grupmoshën U23”, ka thënë Ramadani.

21:02

Erza Muminoviq, shpresë e vitit

Komiteti Olimpik i Kosovës është duke e mbajtur ceremoninë e shpalljes së më të mirëve të vitit 2021. Pas shumë fjalimeve, ka nisur edhe pjesa e shpërblimit të sportistëve.

Çmimi i parë është ndarë për Shpresën e Vitit te sportistet. Ai i ka takuar xhudistes Erza Muminoviq.

“Çmimi më motivon të vazhdoj të punoj edhe më shumë, të ndjek hapat e Majlindës, Distrisë, Norës, Akilit e Lorianës.

Këta duhet të jenë shembull për të gjithë pasi kanë dëshmuar se me punë dhe sakrificë mund të arrihet çdo gjë”, ka thënë Muminoviq, që natyrisht ka falënderuar trajnerin Driton Kuka.