Njëri prej hendbollistëve më të mirë të Përfaqësueses së Kosovës, Luigj Quni, ka vazhduar kontratën me klubin e madh zviceran, Amicitia Zuerich. 26-vjeçari Quni e ka vazhduar kontratën për dy vjet dhe do të luajë për klubin nga Zuerichu deri në fund të edicionit 2023/2024.
Quni është vlerësuar lart nga presidenti i Amicitias. Kjo skuadër aktualisht renditet e treta në kampionatin helvetik dhe pritet të luftojë për titull të kampionit.
Quni paraqitet në pozitën e pivotit dhe shquhet për angazhimin e madh dhe luftën për çdo top.
Ai fillimisht i ishte bashkuar Amicitias si 17-vjeçar. Në ekipin e parë kishte debutuar në vitin 2016. Më pas kishte luajtur për Pfadi Winterthur dhe për OIF Arendal në Norvegji. U kthye te Amicitia, për të cilën skuadër ka shënuar 175 gola në 89 ndeshje kampionale.
“Pasi klubi dhe unë ndjekim synime të njëjta me shumë përkushtim, vendimi për ta vazhduar kontratën ishte i lehtë për mua. Jam shumë i lumtur të vazhdoj ta përkrah ekipin si kapiten dhe të bëj pjesën time që të vazhdojmë me sukses rrugën që e kemi nisur”, ka thënë Quni.
Për presidentin e Amicitias, Phil Hohl, vazhdimi i kontratës me Qunin është me shumë rëndësi.
Luigj Quni është hendbollisti i vetëm i Kosovës që luan në kampionate elitare evropiane. Te Amicitia ka përgjegjësi shtesë, duke qenë kapiten i skuadrës.
“Lui nuk është vetëm kapiteni ynë. Ai është po ashtu shembull që duhet ndjekur brenda dhe jashtë fushës. Ai e përshkruan rrugëtimin tonë si skuadër. Filloi në ekipin e juniorëve, depërtoi në ekipin e parë dhe u zhvillua në lojtar reprezentues. Jam shumë i lumtur që rruga jonë e përbashkët do të vazhdojë”, ka thënë Hohl.
Quni i përgjigjet vazhdimisht ftesës nga Përfaqësuesja e Kosovës. Madje vlerësohet prej lojtarëve më të përkushtuar dhe më luftarakë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.