Sport

Muriqi premton gola te Mallorca

 

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Muriqi, ka premtuar gola me fanellën e Mallorcas, ekip që këtë edicion po lufton për ta siguruar mbetjen në La Liga. Në fakt, Muriqit i kanë mjaftuar dy paraqitje me skuadrën spanjolle për ta shënuar një gol dhe për t’i fituar zemrat e tifozëve të Mallorcas. Muriqi, i cili iu bashkua Mallorcas muajin e shkuar, ka thënë se është adaptuar shumë mirë në ambientin e ri, pasi që nga momenti kur është kontaktuar nga drejtuesit e ekipit ka ndier besimin e tyre. Muriqi është huazuar te Mallorca nga Lazio dhe ekipi spanjoll e ka opsionin e blerjes së tij në verë për 11 milionë euro nëse siguron mbetjen në La Liga, ndërsa për këta gjashtë muaj italianëve u është paguar një tarifë prej një milion eurosh. Në një intervistë për të përditshmen “El Pais”, Muriqi ka thënë se kishte shumë oferta në afatin kalimtar të janarit, por zgjodhi Mallorcan, sepse ishte i bindur se ishte ekipi i duhur për të. Në dy ndeshje të luajtura deri më tani për Mallorcan – një në kupë dhe një në kampionat – Muriqi ka shënuar një gol. Në duelin e Kupës së Spanjës ndaj Rayo Vallecanos, Muriqi impresionoi me paraqitje për t’u bërë lojtari i parë këtë edicion që luan në Spanjë e që fitoi 15 duele në ajër në 22 sa i pati. Ndërsa në fitoren 2:1 ndaj Cadizit, krahas golit vendimtar të shënuar nga penalltia, ai fitoi edhe 13 prej 15 dueleve ajrore.

“Kam pasur shumë oferta, por e kuptova se në këtë klub të gjithë punojnë së bashku. Drejtori dhe trajneri me thirrën në telefon dhe më bënë të kuptoj se më donin me çdo kusht. Kështu që, te Mallorca po ndihem mirë dhe jam i gatshëm ta ndihmoj klubin në të gjitha mënyrat”, është shprehur Muriqi, që ka folur për golin e parë me Mallorcan. “Doja të gjuaja penalltinë e parë pasi sulmuesit duhet të shënojnë gola dhe penalltia është një mundësi, edhe pse mund ta humbisni. Në të dytën nuk thashë asgjë dhe Salva Sevilla erdhi dhe më dha topin. Ai e kuptoi që duhej të shënoja, është një djalë i mirë dhe ajo që bëri flet për karakterin e tij, i jam shumë mirënjohës që më dha besimin”.