Sport

Muriqi, idhulli i ri i tifozëve të Mallorcas

Dy ndeshje i kanë mjaftuar sulmuesit për t’u shndërruar në idhull që shpresohet se do ta ngrejë jo vetëm skuadrën, por edhe tifozët në tribuna. Me të arritur e puthi logon e klubit.

Kështu përmblidhet ardhja e Vedat Muriqi në ishull, saktësisht te Mallorca. Sulmuesi kosovar iu bashkua ekipit me shumë të panjohura. Vinte me një gol të shënuar për më shumë se një vit te Lazio, ekip që e largoi pas një edicioni e gjysmë. Drejtori sportiv i Mallorcas, Pablo Ortells, edhe më shumë i shtoi dyshimet kur pranoi se Muriqi nuk ishte opsioni i parë i ekipit në afatin kalimtar të janarit.

Mallorca në fund e huazoi sulmuesin shtatlartë me opsionin e blerjes në fund të edicionit.

Dy ndeshje, një në kupë dhe një në La Liga, e shndërruan Muriqin në idhull të tifozëve të Mallorcas. Në ndeshjen kampionale kundër Cadizit, të cilën Mallorca e fitoi 2:1, Muriqi shënoi penalltinë vendimtare. Trajneri i Mallorcas, Luis Garcia, pranoi se Muriqi “është një tip i tjetër i lojtarit dhe ekipit tonë i ka munguar një profil i tillë”.

Fjalë të mira për Muriqin pati edhe bashkëlojtari i tij, veterani Salva Sevilla, që e shënoi golin e parë për Mallorcan ndaj Cadizit. Sevilla shënoi nga penalltia dhe ishte përgjegjës për ta gjuajtur edhe penalltinë e dytë, por vendosi që t’ia linte bashkëlojtarit të ri, Muriqit.

“E pashë që kishte besim shumë të madh dhe ia dhashë rastin për ta marrë përsipër penalltinë, të cilën e realizoi. Kjo do t’i ndihmojë shumë dhe do t’i japë besim edhe më të madh për ndeshjet e tjera që janë të rëndësishme”, u shpreh Sevilla.

Bazuar në të dhënat statistikore Muriqi është superfuqi e Mallorcas në lojën në ajër. Në duelin e Kupës së Spanjës, Muriqi impresionoi me paraqitje për t’u bërë lojtari i parë këtë edicion që luan në Spanjë e që fitoi 15 duele në ajër. 15 duele të fituara i kishte nga 22 gjithsej. Përqindjen Muriqi e përmirësoi kundër Cadizit në kampionat kur fitoi 13 prej 15 dueleve ajrore. Dy paraqitjet e kanë konfirmuar Muriqin në përbërjen e parë të Mallorcas dhe lënë të kuptohet se trajneri pati plotësisht të drejtë kur e inkuadroi sulmuesin në përbërjen e parë pas vetëm një stërvitjeje.

Muriqi ka treguar angazhim në fushë dhe kjo ka bërë që ai të krijojë një lidhje me tifozët në tribuna. Kur u zëvendësua ndaj Cadizit në minutën e 89-të, ai u duartrokit nga tifozët e pranishëm të cilët u ngritën në këmbë dhe filluan ta brohorasin emrin e tij.

“Arrita të shënoj gol në ndeshjen e parë në shtëpi, por gjëja më e rëndësishme është që ekipi të shënojë fitore dhe të marrë tri pikë. Kur je sulmues gjithmonë dëshiron të shënosh dhe për këtë arsye e pyeta Salvan për ta gjuajtur penalltinë e parë. Por ai ma la të dytën dhe u jam shumë falënderues bashkëlojtarëve që më kanë pritur shumë mirë”, ishin fjalët e Muriqit pas ndeshjes.

Sulmuesi kosovar bëri edhe një postim në Twitter, ku shkroi: “Jam shumë i lumtur me fitoren në shtëpi dhe që kontribuova me gol në këtë fitore. Do të vazhdoj të jap më të mirën për ekipin”.

Bazuar në karakteristikat e tij, Vedat Muriqi ishte përforcimi që e prisnin tifozët e Mallorcas dhe ai është tashmë në ekip për ta bërë ndryshimin.