Sport

Sportistët ankohen për kushtet në hotelet që shërbejnë për karantinë në Pekin

Sportistët të detyruar për t’u karantinuar në hotele në Pekin gjatë Lojërave Olimpike Dimërore, kanë ngre shqetësimet se kjo vetëm sa po e keqëson situatën, raporton “Daily Mail”.

Sportistët janë ankuar se nuk po u ofrohet mjaftueshëm ushqim, dhe ushqimi që po u ofrohet nuk e ka kualitetin e duhur. Po ashtu janë ankuar për mungesë të pajisjeve për të stërvitur.

Gjermania ka kërkuar dhoma më të mëdha dhe ushqim më të mirë për sportistët, në mënyrë që ata të jenë në gjendje më të mirë për të garuar në LOD “Pekin 2022”.

Duke shkruar në rrjete sociale, rusja Valeria Vasnetsova, që garon në biathlon, është ankuar se ushqimi në hotelin ku po qëndron e ka bërë atë të humb peshë.

“Po më dhemb barku. Jam shumë e lodhur dhe kanë filluar të më nxihet lëkura rreth syve. Po qajë çdo ditë. Jam shumë e lodhur”, ka shkruar Vasnetsova.

Vasnetsova kishte postuar gjatë javës fotografi të ushqimit.

Ajo thotë se vetëm me pasta po mbahet, pasi është e pamundur të hahet pjesa tjetër e ushqimit.

Ajo tregon se ka humbur peshë dukshëm.

Hotelet që po shërbejnë për karantinë janë duke u kritikuar nga sportistët dhe ekipet, ndërsa po lobohet për përmirësim të kushteve.

Po ka ankesa se vetëm disa sportistë që po rezultojnë pozitivë me COVID po detyrohen të karantinohen në hotele të tilla, ndërsa në situata të ngjashme disa sportistë tjerë po karantinohen në Fshat Olimpik.

Rregullat thonë se çdo sportist që rezulton pozitiv duhet të karantinohet në hotel që shërben për karantinë.

Amerikanja Elana Meyers Taylor, medaliste e trefishtë olimpike në bobseld, në Pekin rezultoi pozitive me COVID-19.

Ajo u detyrua të izolohej në hotel dhe të ndahej nga i biri i saj 2-vjeçar Nico.

Ajo kishte postuar në rrjete sociale stërvitje nga hoteli.