Sport

Ortells: Muriqi nuk ishte zgjedhja e parë por as e fundit te Mallorca

Drejtori sportiv i Mallorcas, Pablo Ortells ka zbuluar se sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi nuk ishte zgjedhja e parë por as e fundit për klubin që e transferoi në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit.

Në fakt, Muriqi u huazua deri në fund të këtij sezoni nga Lazio dhe Mallorca ka opsionin e blerjes së tij.

“Afati kalimtar i janarit është shumë i komplikuar, kështu që ishim të fokusuar në situatat që mund të vepronim. Muriqi nuk ishte opsioni i parë por as i fundit, po ashtu”, ka thënë Ortells.

Ai ka shtuar se trajneri i Mallorcas, Luis Garcia luan me dy sulmues dhe Muriqi është një alternativë shtesë për ekipin. “Muriqi na jep më shumë mundësi gjatë ndeshjes”, shtoi Ortells.

Muriqi të martën është stërvitur me ekipin e Mallorcas dhe sipas të gjitha gjasave do të jetë i gatshëm të debutojë në La Liga këtë vikend.