Futbollist profesionist për 19 vjet. I angazhuar në dhjetë klube nga gjashtë vende të ndryshme.
Blerim Xhemaili, 35-vjeçar, mund të kujtojë një karrierë plot ngjarje. Tashmë pason kurorëzimi: titulli i tretë kampion me Zuerichun.
FC Zuerichu është lider i Superligës së Zvicrës. Është shtatë pikë përpara përcjellësit të parë, Baselit, dhe tetë pikë larg kampionit në fuqi, Young Boysit. Do të jetë punë e vështirë të fitohet titulli. Këtë e di edhe mesfushori.
“E kam thënë që në fillim se Young Boysi ka lojtarë më të fortë individualisht”.
Shumë sportistë ëndërrojnë të përshëndeten me trofeun e kampionatit në duar.
“Të gjithë më thonë se duhet të rri edhe një vit. Në të njëjtën kohë ata thonë se me një titull kampioni do të ishte koha e përsosur për të dhënë lamtumirën”.
Mendimet e Xhemailit për t’u tërhequr nuk ndikohen vetëm nga komponenti sportiv, por edhe nga ai familjar.
“Djali im është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua dhe e kuptoj se sa ka nevojë për mua. Ne kontaktojmë çdo ditë nëpërmjet telefonit. Ai është arsyeja kryesore që nuk jam i sigurt nëse do të luaj edhe edicionin tjetër. Po të ishte pranë meje do të luaja derisa trupi të thoshte se ka mbaruar, nuk mund të luash më”, ka thënë Xhemaili në një intervistë për “Tages-Anzeiger”.
Kontrata e Xhemailit me Zuerichun skadon në verë.
Cila punë do t’i pëlqente Xhemailit, që ka luajtur 69 ndeshje me Zvicrën?
“Situata me djalin tim do të kërkojë më shumë fleksibilitet nga unë. Kjo është arsyeja pse unë mund të imagjinoj themelimin e një kompanie menaxhuese dhe të punoj si konsulent lojtarësh. Për momentin po shikoj vetëm të tashmen”.
Në fundjavë, Zuerichu do ta luajë ndeshjen e parë të pjesës së dytë të edicionit aktual kundër Servettes në shtëpi.