Sport

Irani, përfaqësuesja e parë aziatike që siguron Botërorin

Irani fitoi derbin kundër Irakut në Teheran dhe u bë përfaqësuesja e parë nga konfederata aziatike e futbollit që siguron kualifikimin në Botërorin “Katari 2022”.

10-mijë tifozë ishin të pranishëm në stadiumin “Azadi” në Teheran, ndërsa edhe gratë u lejuan të futen në stadium për ta parë nga afër një ndeshje futbolli pas afër tre vjetëve.

Irani, lider i Grupit A, e siguroi fitoren falë golit të shënuar nga Mehdi Taremi në minutën e 48-të.

Irani tani ka 10-të pikë më shumë se vendi i tretë në Grupin A të kualifikimeve aziatike për Botërorin e këtij viti. Maksimalisht mund të fitohen edhe nëntë pikë, pasi kanë mbetur edhe tri ndeshje për t’u zhvilluar.

Irani kualifikohet në një Botëror për herën e gjashtë në ngjarjen më të madhe të futbollit.

Deri tani në Botëror janë kualifikuar: Gjermania, Danimarka, Brazili, Belgjika, Franca, Anglia, Kroacia, Spanja, Serbia, Zvicra, Holanda, Argjentina. Ndërkohë, Irani i bashkohet nikoqirit të Botërorit, Katarit.

Image
Festa e publikut iranian