Futbolli total dhe ngjyra e portokalltë e shkëlqyer janë sinonim i legjendës Johan Cruyff, por disa po mbesin të befasuar kur po e kuptojnë se trashëgimia e ikonës holandeze është frymëzim për një ekip të kategorisë së dytë që po synon promovimin në elitën e futbollit të Holandës. Kur Wim Jonk u kthye për të menaxhuar klubin e fëmijërisë, Volendam, në prill të vitit 2019, ai solli me vete stafin përgjegjës për zbatimin e ideve të Cruyffit, të cilat bënë revolucion te skuadra e Ajaxit para një dekade. “Plani Cruyff” ishte një reformë e strukturës dhe sistemit të akademisë së gjigantëve holandezë, e vlerësuar për prodhimin e lojtarëve si Frenkie de Jong dhe Matthijs de Ligt, me fokus në lojën e futbollit tërheqës, krijimin e një kulture të performancës dhe zhvillimin e lojtarëve të rinj përmes programeve individuale të personalizuara. Shpërndarja e këtij vizioni në Amsterdam ishte një gjë, por në Volendam, një fshat peshkimi rreth 30 kilometra në veri të stadiumit “Johan Cruyff Arena”, projekti është shumë i ndryshëm. Volendami është një klub, i cili nëntë herë është promovuar në Eredivisie, por nuk ka luajtur në elitën e futbollit të Holandës që nga vitit 2009. Me rezultate të dobëta dhe futboll pa frymëzim, gjë që humbte interesin e tifozëve dhe sponsorëve, Volendami ishte në telashe serioze kur e thirri trajnerin Jonk dhe stafin e tij, i cili së bashku me Cruyffin i shin larguar nga Ajaxi në dhjetor të vitit 2015 pas mosmarrëveshjeve me bordin e klubit. Sfida e parë e Jonkut në rolin e tij të ri ishte të kthente mbështetësit në stadiumin “Kras”.
“Ata ishin ulur në bar dhe shikonin gotat e birrave në vend që të shikonin ndeshjen”, thotë Jonk. “Ndërsa ideja ime ishte që ata t’i ktheja në tribuna nëpërmjet lojës atraktive të ekipit, por nuk ishte mision i lehtë sepse duhej të punoja shumë për të zbatuar idetë e mia”.
Në ditën e tij të parë në punë Jonk u tregoi futbollistëve të tij disa video të klubeve më të mira në botë dhe foli për pozicionimin dhe idetë që donte t’i përhapte në stërvitje.
“Gjëja e parë që lojtarët më thanë ishte ‘po, por ne nuk jemi Barcelona, nuk jemi Manchester Unitedi apo Manchester City’”, shton Jonk, i cili iu përgjigj se për të zhvilluar, mbushur stadiumin dhe për ta bërë klubin sërish të dukshëm ata duhej të “bënin diçka të veçantë”.
Pas tre vjetësh punë, Jonk ka arritur t’i instalojë idetë e tij dhe skuadra e Volendamit është në rrugën e duhur për t’u rikthyer në Eredivisie sezonin tjetër. Prin në tabelë me shtatë pikë më shumë se ndjekësi më i afërt dhe nuk di për humbje në 21 ndeshje rresht. Në fakt, prej 23 ndeshjeve të luajtura këtë edicion Volendami e ka vetëm një humbje.
“Tani nëse fitojmë 2:1, të gjithë ankohen, sepse thonë se është dashur të fitonim me tre ose katër gola diferencë”, thotë Jonk. “Ne jemi ende në progres, ka shumë për të mësuar”.
Mst: Ndryshimi i strategjisë së transferimeve
Drejtori i futbollit te Volendami, Jasper van Leeuwen, thotë se detyra e radhës ishte zhvillimi i një politike transferimi më të qëndrueshme, duke u fokusuar në zbulimin e “talenteve me potencial të madh” brenda dhe jashtë klubit. Shembulli më i mirë i kësaj ishte Micky van de Ven, një mbrojtës i ri i anashkaluar më parë, i cili lulëzoi nën regjimin e ri dhe u shit te Wolfsburgu për pesë milionë euro verën e kaluar pasi Volendami fitoi një betejë ligjore me agjentin Mino Raiola për tarifën e transferimit.
“Ne kishim një plan trevjeçar, por dy vjetët e parë ishin të krijonim vlerë në klub”, thotë Van Leeuwen. "Kjo ishte pak a shumë e njëjta gjë që bëmë në Ajax duke gjetur talentet brenda ose jashtë klubit. Më vonë, në vitin e tretë, që është tani, ne shtuam disa lojtarë më me përvojë për të shkuar me të vërtetë për promovim në elitë”.
Nuk kishte departament skautimi apo edhe një zyrë për trajnerët e akademisë te Volendami ndërsa Ruben Jongkind thotë se gjithçka, nga zhvillimi i talenteve deri te metodat e trajnimit u ndryshuan tërësisht.
"Duhej të dallonim, zgjidhnim dhe stërvitnim një ushtri krejtësisht të re trajnerësh dhe skautësh," shpjegon Jongkind, drejtor i Akademisë te Volendami dhe përgjegjës për shkrimin dhe zbatimin e planit të Cruyffit në Ajax. “Ne kishim nevojë të gjenim njerëz të hapur ndaj këtij vizioni dhe t'i rikualifikonim e edukonim. Gjëja më e rëndësishme është që ne kemi dashur të tregonim se nëse punon për bukurinë e lojës, në fund i merr edhe rezultatet. Këtë mund ta tregosh në një klub të madh me një buxhet të madh, por është tjetër gjë ta tregosh në një klub me vetëm 5 milionë euro si buxhet vjetor për gjithçka”.
Prodhimi i perspektivave të akademisë dhe zbulimi i talentit të duhur është çelësi për Volendamin, i cili është gjithashtu i hapur për t'u dhënë “mallrave të dëmtuara” një shans të dytë dhe ka një moshë mesatare të skuadrës së parë prej vetëm 22.6 vjeç.
“Nëse niveli aktual tani është shumë i lartë, ai nuk do të vijë në Volendam, ne duhet të jemi realistë," thotë Van Leeuwen. “Nëse të gjithë e shohin talentin tek djali, ai do të shkojë te Chelsea ose Barcelona. Shumë njerëz mund të gjykojnë aktualitetin - të gjitha të dhënat bazohen në këtë - por ju nuk mund të matni potencialin. Ky është çelësi. Nëse jeni shumë i mirë në vlerësimin e nivelit të mundshëm të një lojtari, atëherë është shpërblyese, sepse ju mund ta pranoni atë përpara se të gjithë ta zbulojnë dhe gjithashtu mund ta zhvilloni”.
Volendam ka përfituar gjithashtu nga një marrëdhënie e mirë që e ka me ekipin nga Serie A, Interin. Te ekipi italian kishin mbetur të impresionuar me mënyrën se si Volendami i zhvillon talentet e reja dhe i dërgon ata në huazim për t’u rritur edhe më shumë.
Mst: Ngritja e klubit në një nivel tjetër
Realizimi i teorisë së Cruyffit në kategorinë e dytë holandeze ka konfirmuar bindjet e treshes, se kërkimi i mirë dhe krijimi i mjedisit të duhur mund t'i ndihmojë lojtarët e rinj të arrijnë potencialin e tyre.
“Duke punuar në Ajax, je pak a shumë i sigurt se ke djem shumë të talentuar, në akademi dhe rreth ekipit të parë, kështu që natyra kujdeset nëse skauton mirë”, shton Van Leeuwen. “Atëherë hyn në lojë edukimi. Këtu natyra nuk do të na sigurojë nga 25,000 qytetarët e Volendamit 10 talente të jashtëzakonshme - kjo është joreale. Por nëse i pranoni, u jepni minuta, u jepni besim, i zhvilloni ata individualisht dhe i bëni ata të ndihen të sigurt dhe të vlerësuar, ata mund të shpërthejnë vërtet, ndoshta edhe më shumë nga sa mendonim”.
Edhe pse te Volendami pranojnë se aktualisht mund të krenohen me faktin se kanë më shumë talente sesa skuadra e Ajaxit.
“Mund të them lehtësisht se ka disa talente në ekipin tonë që janë më të mirë se ata të Ajaxit. Me këtë në mburremi. Kjo është një gjë shpresëdhënëse, nëse një klub më i vogël mund të mposhtë klubet më të mëdha vetëm duke punuar më mirë. Për mua është më shpërblyese”.
Nëse Volendami rikthehet në elitë, qëllimi është të mbijetojë në sezonin e ardhshëm dhe më pas të bëhet një klub i themeluar i Eredivisies.
“Nëse shkojmë atje, atëherë kemi një sfidë tjetër për të qëndruar atje dhe për t'u rritur përsëri”, thotë Jonk. “Kjo është më e vështirë dhe fillon një proces i ri”.
Tashmë ka plane për një stadium të ri multifunksional - në formë të një varke, në përputhje me rrënjët e peshkimit të Volendamit - por Jongkind thotë se promovimi do të thotë që të paktën të dyfishohet buxheti i klubit.
“Ne po mendojmë shumë për strategjitë për të shitur historinë dhe për t'u lidhur me sponsorët që mund të lidhen me këtë ide të zhvillimit të qëndrueshëm. Volendami është disi si një qytet kulti, të gjithë e njohin atë në Holandë dhe ka 1.5 milionë turistë çdo vit nga e gjithë bota, kështu që ka një potencial të madh për të tërhequr turma më të mëdha”, shtoi Jongkind. “Por këtë hap ne e dimë se mund ta bëjmë vetëm nëse jemi në Eredivisie dhe jemi të lidhur me stilin e lojës që Wim po u mëson lojtarëve. Është e mundur, ne kemi nevojë vetëm për kohë, mbështetje dhe mbi të gjitha kemi nevojë që njerëzit të besojnë në të”.