Sport

Prishtina prezanton mesfushorin Cenaj

Mesfushori Drilon Cenaj është përforcimi më i ri te kampionia në fuqi e Superligës së Kosovës në futboll, Prishtina.

Klubi kryeqytetas, që gjendet tashmë disa ditë në Antalia të Turqisë për fazën përgatitore, të premten e ka zyrtarizuar Cenajn.

24-vjeçari do të luajë për herë të parë në futbollin kosovar. Ai do ta bartë fanellën e Prishtinës në pjesën pranverore, që nis muajin tjetër.

“Në moshën njëvjeçare, Drilon Cenaj u largua nga Kosova së bashku me familjen e tij për në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës. Ai kthehet në vendlindje në moshën 24-vjeçare për ta vazhduar karrierën si futbollist te klubi më i madh në Kosovë, FC Prishtina”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

Cenaj është zhvilluar si futbollist në Bosnjë. Karrierën e ka nisur te skuadra e Sarajevës. Pastaj u transferua në Hungari te të rinjtë e Pushkash Academy, për të vazhduar te juniorët e Chievos (Itali) përpara se t’i bashkohej ekipit të parë të Salernitanas. Ai karrierë ka bërë edhe te CS Pandurii Targu Jiu e Viitorul (Rumani), Çeliku i Zenicës, Velezhi (B. Hercegovinë), Novigradi (Kroaci) dhe Nyiregyhaza e Szentlorinc SE në Hungari, para se t'i bashkohej Prishtinës.

Në stinorin vjeshtor te Szentloricu që bën gara në kategorinë e dytë hungareze, Cenaj ka regjistruar 12 paraqitje. Në prezantimin e tij, Cenaj ka thënë se synon ta ndihmojë Prishtinën të ngjitet në pjesën e epërme të tabelës.

“Prishtina është klubi më i madh në Kosovë dhe është kënaqësi që jam bërë pjesë e tij. Në ekip më kanë pritur shumë mirë si bashkëlojtarët ashtu edhe stafi. I falënderoj të gjithë për pritjen. Atmosfera është shumë e mirë. Stërvitjet janë duke shkuar shumë mirë dhe jemi duke punuar shumë mirë. Përgatitjet janë shumë të mira dhe mendoj se me këtë ritëm dhe punë do të jemi shumë lart”, është shprehur Cenaj. “Synimet e Prishtinës janë për pjesën e lartë në tabelë. Ka shumë cilësi në ekip dhe do të provoj që ta ndihmoj sa më shumë ekipin”.

Cenaj është përforcimi i tretë që Prishtina e ka zyrtarizuar gjatë këtij muaji. Para tij te Prishtina u prezantuan edhe Agim Zeka e Bujar Pllana. Prishtina të premten ka njoftuar se ka aranzhuar pesë ndeshje miqësore.

Miqësoren e parë do ta luajë më 23 janar ndaj ekipit nga Ukraina, Chernomorets Odessa. Më 26 janar, Prishtina do të përballet me Atarayn e Kazakistanit, teksa një ditë më vonë (27 janar) me Gornikun e Polonisë, ndeshje ku do të testohen lojtarët që nuk aktivizohen ndaj ekipit kazak.

Ndeshjen e parafundit miqësore, Prishtina e luan kundër Alanyas të Rusisë (29 janar) për ta mbyllur me Kapfenbergun e Austrisë më 31 janar. Stinorin vjeshtor Prishtina e ka mbyllur në pozitën e pestë në tabelë me 24 pikë të mbledhura, 11 më pak se Gjilani që është lider.