Sport

Superliga “n’deti”

Si asnjëherë më parë, plot tetë skuadra të Superligës së Kosovës në futboll fazën përgatitore e kryejnë në Antalia të Turqisë.

80 për qind e ekipeve elitare synojnë që përmes motit dhe kushteve të përshtatshme në tokën turke të jenë sa më të gatshme për t’i arritur synimet që kanë në pranverë. Vetëm Drenica dhe Feronikeli nuk kanë shkuar në Turqi.

Drenica po e kryen fazën përgatitore në Shqipëri, gjithashtu në bregdet, kurse Feronikeli po përgatitet në Kosovë. Skuadra nga Drenasi do të paraqitet në pranverë me juniorë për shkak të krizës financiare.

Pas Gjilanit, Dritës, Ballkanit, Prishtinës, Malishevës dhe Dukagjinit, edhe Llapi e Ulpiana do t’i kryejnë fazat përgatitore në Antalia, qytetin bregdetar turk, të njohur për turizmin shumë të zhvilluar. Të dyja ekipet udhëtojnë mëngjesin e së premtes.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, thotë se Antalia është vendi më i përshtatshëm për t’u përgatitur.

“Do të qëndrojmë 14 ditë. Do të zhvillojmë pesë ndeshje miqësore. E kemi zgjedhur Turqinë, sepse ofron super kushte. Moti është shumë i përshtatshëm dhe gjithçka është shumë mirë. Kostoja e qëndrimit në Antalia do të jetë rreth 40 mijë euro”, u shpreh Batatina.

Trajneri i Ulpianës, Edlir Tetova, deklaroi për KOHËN se deri më tani gjithçka ka shkuar sipas planit. Ai thotë se ekipi po stërvitet dhe po përforcohet për pjesën vendimtare të kampionatit.

Tetova konfirmon tri ndeshje miqësore në Turqi.

“Faza përgatitore po shkon shumë mirë. Lojtarët po stërviten normalisht sipas planit të punës. Kemi afruar pesë lojtarë, një portier, një mbrojtës, një mesfushor qendre dhe një krahu, kurse kemi huazuar edhe një lojtar nga Drita. Presim që të përforcohemi akoma gjatë ditëve që do të jemi në Antalia të Turqisë. Presim një mbrojtës të krahut të djathtë dhe një sulmues me të cilin kemi rënë dakord parimisht. Në Antalia qëndrojmë 12 ditë. Do të kemi edhe tri ndeshje miqësore. Përgatitjet atje do të na shërbejnë shumë për faktin që kushtet klimatike janë të përshtatshme. Kurse në Kosovë temperaturat janë minus dhe nuk ndihesh komod të kryesh stërvitje”, u shpreh Tetova.

Ulpiana stinorin vjeshtor e mbylli në vendin e parafundit (9) me 18 pikë, aq sa ka edhe Dukagjini që është në vendin e tetë.

Aranzhimet në Antalia për skuadrat nga Kosova tash e një dekadë i kryen menaxheri Amir Prepolli. Ai flet për koston dhe numrin rekord të ekipeve kosovare në Antalia.

“Deri më tani gjithçka po shkon mirë. Koha është shumë e mirë. Klubet janë të kënaqura me kushtet. Hotelet dhe terrenet janë të nivelit të lartë. Këtë vit janë tetë ekipe nga Kosova. Është numër rekord. Unë qe dhjetë vjet merrem me këtë punë dhe nuk ka pasur asnjëherë më shumë nga Kosova. Kostoja mund të them se është e njëjta, pasi hotelet paguhen me euro dhe dollarë dhe nuk ka të bëjë asgjë rënia e lirës turke. Varet nga numri i personave që janë në ekip. Mesatarja është nga 25-30 mijë euro për një ekip”, deklaroi Prepolli.

Zhvillimi i miqësoreve cilësore është prej anëve më të forta të përgatitjeve në Turqi.

“Jemi duke punuar që të aranzhojmë ndeshje miqësore me ekipet e Superligës së Turqisë dhe të disa vendeve të tjera, si Rusia, Ukraina e Polonia. Më herët kemi aranzhuar takime të tilla si Drita – Antalyaspor. Pastaj Ballkani – Vorskla e Ukrainës e disa duele të tjera. Më herët ka qenë e vështirë të gjejmë kundërshtarë për ekipet nga Kosova, kurse tani kemi oferta që të luajnë me ekipet kosovare. Krejt kjo vjen pas korrektësisë dhe profesionalizimit që kemi treguar. Nuk është e vështirë të gjesh kundërshtarë kur je korrekt. Duhet të kesh kontakte me trajnerë, drejtorë sportivë, presidentë dhe zyrtarë të klubeve për t’i caktuar miqësoret. Klubet nga Rusia, Ukraina, Polonia e Kazakistani na bëjnë oferta për t’u takuar në miqësore me ekipet kosovare”, thotë Prepolli.

Ai tregon se vetëm ekipet nga Azerbajxhani hezitojnë të luajnë ndaj ekipeve nga Kosova.

“Deri më tani mund të them që ekipet nga Azerbajxhani hezitojnë të luajnë me skuadrat nga Kosova për shkak se nuk e njohin Kosovën, pra është çështje politike. Kurse nga shtetet e tjera nuk kemi refuzime. Për një ndeshje miqësore klubet e paguajnë përgjysmë një shumë të caktuar, e cila mund të jetë 500 apo 1000 euro. Aty përfshihen fusha, udhëtimi nga hoteli në fushë dhe nga fusha në hotel dhe gjyqtarët, asgjë tjetër. Ka raste kur ndeshjet i gjykojnë gjyqtarët nga Superliga e Rusisë, Ukrainës apo e Polonisë”.