Sport

Ish-selektori i Kosovës pritet ta marrë drejtimin e Kroacisë

Ish-përzgjedhësi i Kosovës në basketboll, Damir Mullaomeroviq, do të jetë në krye të Përfaqësueses së Kroacisë.

Mediumet kroate kanë njoftuar të enjten se marrëveshja mes Mullaomeroviqit dhe krerëve të Federatës së Basketbollit të Kroacisë tashmë është arritur, kurse do të bëhet zyrtare brenda kësaj jave. Mullaomeroviq në postin e përzgjedhësit do ta zëvendësojë Velko Mrshiqin, i cili të mërkurën ka shkëputur kontratën me federatën kroate.

Mullaomeroviq ka qenë asistent i Mrshiqit te Kroacia dhe është trajner i skuadrës Cedevita Junior, që aktualisht zë vendin e tretë në elitën e basketbollit kroat.

“Kërkimet për trajnerin që do ta zëvendësojë Velko Mrshiqin te Kroacia tashmë kanë marrë fund. Përzgjedhësi i ri do të jetë Damir Mullaomeroviq, reprezentuesi i dikurshëm, asistenti i deritashëm i Mrshiqit dhe trajneri i Cedevitës. Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar, marrëveshja tashmë është arritur. Federata po e pret pajtimin zyrtar të Cedevitës, ndonëse kjo është vetëm çështje procedurale”, ka shkruar sajti “Index.hr”.

Mullaomeroviq po shihet si njeriu i duhur për ta drejtuar Kroacinë, pasi është trajner që e njeh kampionatin kroat dhe basketbollistët që mund të jenë të dobishëm për përfaqësuesen. Megjithatë, Mullaomeroviqin e pret një punë e vështirë. Ai duhet ta udhëheqë ekipin në kualifikimet për Kampionatin Botëror, ku Kroacia në dy ndeshjet e para ka regjistruar dy humbje. Po ashtu, do të jetë në krye të Kroacisë edhe për Eurobasketin e këtij viti.

“Krerët e Federatës kroate kanë kërkuar një trajner që e njeh ligën vendore dhe lojtarët që mund të luajnë në situatat kur ftesës nuk mund t’i përgjigjen ata të NBA-së dhe Euroligës. E ky trajner është pikërisht Mullaomeroviqi”, ka vazhduar sajti i njohur kroat.

Si lojtar, Mullaomeroviq ka luajtur për Kroacinë dhe ishte lider i kësaj përfaqësueseje. Ndërsa karrierën si trajner, 47-vjeçari e ka nisur në vitin 2013 te Slloboda e Tuzllës ku qëndroi deri në vitin 2015, për ta marrë drejtimin e Cibonës. Edhe te Cibona, Mullaomeroviq qëndroi dy vjet dhe më pas zbarkoi në Kosovë. Në muajin gusht të vitit 2018, Mullaomeroviq u emërua përzgjedhës i Kosovës, ndërsa dy muaj më vonë u bë edhe trajner i skuadrës së Sigal Prishtinës. Me Prishtinën, Mullaomeroviqit nuk i munguan sukseset. E fitoi titullin dhe Kupën e Kosovës për edicionin 2018/19 dhe arriti deri në 1/8 e finales të FIBA Europe Cup, që është suksesi më i madh i një ekipi kosovar në garat ndërkombëtare. Mullaomeroviq e pati udhëhequr Kosovën në parakualifikimet për “Eurobasket 2021”. Në raundin e dytë të këtyre parakualifikimeve, Kosova ishte pjesë e Grupit B së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Rumaninë, por përfundoi e treta pa asnjë fitore. Kosova e pati fituar edhe një shans për të luftuar për një vend në kualifikimet e Eurobasketit, por në raundin e tretë të parakualifikimeve shënoi vetëm një fitore në kuadër të Grupit G, të cilin e përbënin edhe Britania e Madhe dhe Luksemburgu. Në tetë ndeshje me Mullaomeroviqin, Kosova pati vetëm një fitore. Ai u largua nga Kosova në fund të gushtit të vitit 2019 për t’u kthyer te Slloboda e Tuzllës, ndërsa prej vitit të shkuar është te Cedevita.