Sport

Debutimi i trefishtë i Ramajt

Descriptive Text

“Të dielën Diant Ramaj befasisht bëri debutim të trefishtë. Premiera e papritur ishte e suksesshme dhe të gjithë të përfshirët konfirmojnë vlerësimin”.

Kështu ka shkruar sajti zyrtar i Eintracht Frankfurtit të hënën për portierin kosovar, Diant Ramaj. 20-vjeçari debutoi për Eintrachtin, debutoi në Bundesligë dhe po ashtu në futbollin profesional.

Ai qëndroi në portë në barazimin 1:1 ndaj Augsburgut në Bundesligë, duke zëvendësuar portierin e parë, Kevin Trapp, që ishte me koronavirus.

Pas dhjetë minutave lojë Ramaj shfaqi vetëbesimin që e ka fituar te Frankfurti. Bëri një dalje që u vlerësua. Ndërkohë, në kohën shtesë fitoi një duel ndaj Florian Neiderlechnerit. U vlerësua pritje e madhe nga trajnerët e Frankfurtit.

“Në situatat një kundër një është e rëndësishme ose të qëndrosh në portë ose të dalësh tërësisht që sulmuesi të mos ketë kohë. Në këtë rast ishte perfekt që unë dola menjëherë”, ka thënë Ramaj për Eintracht TV, të hënën.

Ramaj kishte nisur futbollin duke luajtur në krah, por në një pikë vendosi të qëndrojë në portë. Dhe tani ka arritur në Bundesligë.

Sipas sajtit zyrtar të Eintracht Frankfurtit, Ramaj kishte 51 kontakte me topin, ndërsa ka pritur tri goditje. 24 prej 35 pasimeve i kishte të sakta.

Ramaj për herë të fundit ishte aktivizuar në ndeshje zyrtare më 8 mars të vitit 2020, sa ishte pjesë e ekipit U-19 të Heidenheimit.

“Me 20 vjet, tre muaj e 28 ditë, Ramaj është portieri më i ri i edicionit në Bundesligë”, ka shkruar Eintrachti.

Trajneri Oliver Glasner ka folur për etikën e punës së kosovarit. Ka thënë se Ramaj është ambicioz, profesional dhe ka shtuar rreth pesë kilogramë muskuj.

Diant Ramaj po mëson prej portierit të tretë të Frankfurtit, Jens Grahl. Grahl e ka përgëzuar pas ndeshjes për paraqitjen, por Ramaj mbetet me këmbë në tokë.

“Qartë se ishin disa veprime të mira. Por po ashtu ishin disa veprime për të cilat duhet të punojë. Ne i kemi adresuar ato, duhet të punojmë për t’i bërë përmirësimet”, ka thënë Ramaj.