Sport

Alijaj e krahason Vojvodën me Cancelon e Manchester Cityt

 

Mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda, është padyshim një nga protagonistët kryesorë të momentit te skuadra e Torinos. Ai po tregohet konstant në perfomancën e tij në ndeshjet e fundit si futbollist i krahut të majtë. Ka dhënë dy asistime në dy ndeshje radhazi, kundër Fiorentinës dhe Sampdorias, të cilat Torino i ka fituar. E paraqitjen e Vojvodës në krahun e majtë, menaxheri i tij, Ardian Alijaj, e ka krahasuar me atë të Joao Calcelos të Manchester Cityt. Portugezi Cancelo është njëri prej lojtarëve që nuk e ka problem të luajë në dy krahët e mbrojtjes.

“Si një lojtar që luan me këmbën e djathtë, në fillim nuk ishte i bindur se mund ta gjente veten mirë në anën e majtë. Por ai nuk tha asnjë fjalë, punoi në stërvitje atë që ia kërkoi trajneri. Tani ne shohim rezultatet. I thashë ta merrte shembull Cancelon e Manchester Cityt, një nga skuadrat më të forta në botë, i cili është me këmbën e djathtë, por di të përshtatet shumë mirë në të majtë duke hyrë në fushë për të gjuajtur ose harkuar me këmbën e djathtë. Tani për tani ai po ia del mbanë”, ka thënë Alijaj të hënën në një intervistë dhënë për “Toron News”.