Sport

Edhe Leotrim Bekteshi largohet nga Prishtina

Pas Besart Berishës, Kristi Vangjelit, Sabien Lilajt, Florent Avdylit, Xhevdet Shabanit e Sodiq Atandas, nga skuadra e Prishtinës është larguar edhe qendërmbrojtësi, Loetrim Bekteshi. Lajmi është bërë i ditur të shtunën gjatë ditës nga vetë futbollisti në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook”.

“Faleminderit FC Prishtina. Për këto tri vite sa ishim bashkë, ishte kënaqësi të isha pjesë e klubit më të madh në Kosovë!”, ka shkruar shkurt Bekteshi në njoftimin e tij. Bekteshi në sezonin aktual u paraqit në 23 ndeshje në të gjitha garat për “bardhekaltrit”.

Realizoi dy gola dhe një asistim. Stinorin pranveror, Prishtina e nis me duelin 1/8 së Kupës së Kosovës. Luan kundër Drenicës në ndeshjen e parë zyrtare të këtij viti.

Kampionia në fuqi e Kosovës stinorin vjeshtor e mbylli në vendin e pestë me 24 pikë. Lider është Gjilani me 35 pikë.