Sport

Kiana Kryeziu i afrohet normës për Lojërat Olimpike Dimërore

Skitarja Kiana Kryeziu i është afruar normës për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore. Kosova ende nuk ka pasur garuese në Lojërat Dimërore, ndërsa Kryeziu është në rrugë të mirë që të bëhet e para.

Është Komiteti Olimpik i Kosovës që ka njoftuar se Kiana Kryeziut i duhet vetëm edhe një rezultat i mirë për të siguruar normën për Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen prej 4 deri më 20 shkurt në Pekin.

“Skitarja jonë përmbushi edhe kriterin e katërt për normë olimpike për Lojërat Olimpike Dimërore, Pekini 2022, disiplina e sllallomit të madh. Kiana fitoi 150.4 pikë të FIS-it në garën në Kronplatz të Italisë. I duhet edhe një rezultat nën 160 pikë për ta fituar normën olimpike. Afati për normë është deri më 16 janar”, ka njoftuar KOK-u.

Kiana Kryeziu është 17-vjeçare. Të enjten në Itali u rendit vetëm e 50-a, ndërsa dy lëshimet i përfunduan 52 skitare. Ajo kishte kohë prej 2:50.80 minuta, që i siguroi 150.74 pikë. Fakti se si rezultat për normë mjafton vendi i 50, dëshmon që norma për Lojërat Dimërore fitohet më lehtë se për Lojërat Olimpike Dimërore.

Kiana ishte për 18.03 sekonda më e ngadaltë se fituesja e garës në sllallom të madh në Kronplatz. Stella Johansson e SHBA-së doli fituese me kohë prej 2:32.77 minuta. 2.33.54 minuta ishte koha e amerikanes tjetër, Ava Sunshine Jemison. Celia Abad e Spanjës ishte e treta me kohë prej 2:33.59 minuta.

Dy lëshimet i përfundoi edhe Arba Pupovci. Ajo ishte e fundit prej garueseve me plasman, e 52-a. Koha e saj ishte 3:04.54 minuta. Arba ishte më 31.77 sekonda më e ngadaltë se fituesja.

Nëntë skitare nuk e përfunduan lëshimin e dytë, ndërsa pesë nuk e përfunduan lëshimin e parë. Kishte të diskualifikuara në të dy lëshimet e edhe të tilla që nuk startuan fare.

“Lajme fantastike vijnë nga Përfaqësuesja e Kosovës që po merr pjesë në garat ndërkombëtare në Kronplatz të Italisë. Kiana Kryeziu ka arritur rezultatin e katërt, rezultat i cili e çon edhe një hap para drejt Olimpiadës. Tani mjafton vetëm edhe një rezultat i tillë dhe Kosova do të ketë përfaqësuesen e saj të parë në Lojërat Olimpike Dimërore. Rezultate shumë të mira në një konkurrencë të fortë tregoi edhe Arba Pupovci me 241 pikë të FIS”, ka njoftuar Federata Skitare e Kosovës. Federata nuk e ka përmendur plasmanin.

Sa më i mirë rezultati, numri i pikëve të FIS-it është më i vogël. Kianës i duhen pesë rezultate me më pak se 160 pikë për normë. Dy rezultate i ka arritur në muajin dhjetor në Kolashin të Malit të Zi. Dy rezultate tashmë i ka në Itali dhe i duhet edhe një në tri ditët e ardhshme për ta fituar normën.

Kosova tashmë e ka të sigurt pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike me një skitar. Është thuajse e sigurt se në Pekin do të garojë Albin Tahiri.