Sport

Barcelona e përmirësuar përballet me Realin në “El Clasicon” e Superkupës

Herën e fundit kur Barcelona u ndesh me Real Madridin, ekipi katalan ishte ende duke u përballur me largimin e Lionel Messit dhe me njërën prej krizave më të këqija financiare që e kishte pasur ndonjëherë.

Ronald Koeman ishte ende në postin e trajnerit dhe ekipi krahas vështirësive jashtë fushës kishte vështirësi të mëdha edhe në fushë dhe i mungonin rezultatit. Humbja me rezultatin 2:1 në “Camp Nou” në kuadër të La Ligas, tetorin e shkuar, nuk ishte befasi për shumicën, pasi konfirmoi momentin e keq që po e kalonte Barcelona.

Mirëpo gjërat janë krejtësisht ndryshe tani, në prag të përballjes së rivalëve në “El Clasicon” e dytë të këtij edicioni, por në kuadër të gjymëfinales të Superkupës së Spanjës. Kjo ndeshje zhvillohet të mërkurën në “King Fahd Stadium” në Riad të Arabisë Saudite dhe nis në orën 20:00.

Barcelona duket se është kthyer në binarë pas ristrukturimit të financave dhe po tregon shenja përmirësimi në fushë nën urdhrat e trajnerit të ri, Xavi Hernandez.

“Tani është një skenar krejtësisht tjetër. Në atë kohë kur pësuam nga Reali, ne po kalonim nëpër një moment shumë të vështirë. Tash jemi shumë më mirë dhe po luajmë shumë më mirë, gjë që shpresoj ta shfrytëzojmë dhe ta tregojmë këtë herë kundër Realit”, ka thënë qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique.

Triumfi në Superkupën e Spanjës do të thotë pikë e kthesës për Barcelonën, ka insistuar mbrojtësi.

“Në situatën në të cilën jemi çdo fitore dhe eventualisht trofeu, do të thotë një motivim i madh për ne. Ky sukses do të na jepte vetëbesim edhe më të madh dhe do të jetë një gjë shumë e rëndësishme për ne, për pjesën e mbetur të këtij edicioni”.

Barcelonës i janë kthyer disa lojtarë nga lëndimet. Ata nuk ishin në gjendje të luanin në atë ndeshje të kampionatit ndaj Madridit vitin e shkuar, përfshirë këtu mesfushorin Pedri Rodriguez. Prej asaj kohe Barça i ka shtuar edhe disa përforcime që mund ta bëjnë dallimin të mërkurën, përfshirë veteranin Dani Alves dhe sulmuesin e krahut, Ferran Torres. Torres dhe Pedri ishin me koronavirus, por të hënën i morën testet negative për të udhëtuar me ekipin në Arabinë Saudite dhe janë të gatshëm për të luajtur. Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, ka thënë se kohët e fundit nuk i ka shikuar ndeshjet e Barcelonës pasi ka qenë shumë i zënë duke e udhëhequr Realin drejt kreut të La Ligas. Tekniku italian ka pranuar se këtë herë dueli me Barçën nuk do të jetë aspak i lehtë.

“Në fakt kohët e fundit nuk i kam parë shumë ndeshje te Barcelonës. Kemi pasur shumë ndeshje me Realin dhe kam qenë i fokusuar në ekipin tim. Barcelona tani ka më shumë cilësi dhe do të jetë vështirë, por besoj se jemi gati për këtë duel. Nuk e di nëse me Xavin ekipi ka ndryshuar, por mund të them që do të jetë një ndeshje shumë e fortë”, shtoi Ancelotti.

Superkupa e Spanjës po luhet sërish në Arabinë Saudite, pasi vitin e shkuar pandemia e koronavirusit bëri që turneu të zhvillohet në Spanjë. Federata e Futbollit të Spanjës pati arritur marrëveshje në vlerë prej 120 milionë eurosh për t’i luajtur ndeshjet e Superkupës në Arabinë Saudite, në fillim të vitit 2020. Turneu u zgjerua në katër ekipe në vend të dy skuadrave dhe mbahet në gjysmë të edicionit. Këto ndryshime u bënë pavarësisht kritikave të shumta dhe ankesave të tifozëve që preferonin që turneu të mbetej në Spanjë.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale do të luhet të enjten, kur do të takohen kampioni në fuqi i La Ligas, Atletico Madridi, dhe finalisti i Kupës së Spanjës, Athletic Bilbao.

“Nuk ka kuptim të shkojmë në Arabinë Saudite për të luajtur turneun tonë”, tha mesfushori i Bilbaos, Raul Garcia. “Ne nuk po mendojmë më për tifozët.”

Madridi arriti në “Final Four” të Superkupës së Spanjës pasi përfundoi i dyti në La Liga pas Atleticos edicionin e kaluar.

Barcelona u kualifikua si fituese e Kupës së Spanjës. Reali është në formë të shkëlqyer këtë edicion dhe shihet favorit për të triumfuar në Superkupën e Spanjës. Është lider në tabelë falë formës fantastike të dyshes sulmuese: Karim Benzema – Vinicius Junior.