Sport

Munishi premton se Gjilani do të jetë edhe më i fortë në pranverë

Trajneri Ismet Munishi ishte goxha aktiv në stërvitjen që skuadra e Gjilanit e mbajti të enjten pasdite në fushën me bari sintetik. Kërkonte maksimumin nga futbollistët. Nganjëherë edhe me ton të lartë.

Munishi thotë se vetëm me punë maksimale mund t’i realizojnë synimet e këtij edicioni. Synimet janë të mëdha natyrisht.

Gjilani është kampion vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll, ndërsa për ta ruajtur deri në fund pozitën e parë, Munishi thotë se duhet të luftojnë në çdo ndeshje.

“Jemi angazhuar të përgatitemi sa më mirë, të kemi sa më shumë lojtarë të përgatitur. Interesimi dhe objektivi ynë është që të përmirësohemi sa më shumë dhe detyrimisht nëse përmirësohesh, pra nëse bëhesh skuadër më kualitative, edhe rezultatet nuk mungojnë. Ne dihet që e ndjekim titullin e kampionit dhe synimi ynë është titulli i kampionit. Do të luftojmë deri në fund. Kemi organizim për ta fituar titullin, kemi kushtet, kuadrin e lojtarëve”, ka thënë Munishi për KOHËN.

Gjilani me përgatitje ka nisur të mërkurën. Po stërvitet nga dy herë në ditë. Para se të niset drejt Turqisë, Gjilani do të kryej një pjesë të përgatitjeve edhe në Shqipëri. Në Shqipëri do të punojë nga tri herë në ditë.

Munishi premton skuadër më të fortë në stinorin pranveror.

“Gjithsesi se do të jemi më të fortë se në pjesën vjeshtore. Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një garë e vështirë. Të gjitha skuadrat kanë organizim të mirë, janë të papërshtatshme secila në mënyrën e vet, pasi kanë cilësi brenda vetes. Por ne po përgatitemi në mënyrën më të mirë të mundshme për t’i përballuar sa më mirë këto skuadra”, është shprehur Munishi.

Ai ka zbuluar dy prej katër ndeshjeve miqësore që do t’i zhvillojnë në Antalia të Turqisë. Ka treguar se do të përballen me Shakhter Karagandyn e Kazakistanit dhe Chaykan e Kategorisë së Dytë të Rusisë.

“Tash është koha të mbushen bateritë. Kemi filluar më 5 janar, kemi punuar nga dy herë në ditë, ndërsa në Shqipëri nga tri herë në ditë dhe pjesën e ndeshjeve dhe përmirësimin do ta kemi në Antalia. Jemi në kërkim edhe të dy kundërshtarëve. Por do të përballemi me skuadra të mira”.

Munishi ka paralajmëruar edhe ndryshime në skuadër. Thotë se disa futbollistë kanë kërkuar shkëputjen e kontratës me klubin e Gjilanit. Ai insiston se edhe pa përforcime Gjilani është skuadra më e mirë këtë edicion.

“Ka disa lojtarë që kanë kërkuar shkëputjen e kontratës, emrat e të cilëve nuk do t’i bëj publik. Por nëse del ndonjë lojtar në horizont, do ta marrim për ta rritur konkurrencën. Nuk kemi ndonjë objektiv, pasi jemi kampion vjeshte dhe kemi qenë më të mirë se të gjitha ekipet e tjera. Jemi skuadër që e kemi karakterin shumë të fortë. Kemi ditur të bëjmë rikthime edhe kur nuk kemi qenë mirë, kemi ditur të fitojmë ndeshje edhe kur nuk kemi luajtur mirë, sepse kemi përvojën e duhur në grup e po ashtu edhe te shtabi për t’i përballuar ndeshjet e tilla. Kemi karakter të fortë në skuadër, janë lojtar të etur për suksese. Do të jetë garë e mirë. Nuk them se po na frikësohen, por respekt po gëzojmë nga skuadra të tjera. E rëndësishme të gëzojmë respekt, sepse para këtij edicioni nuk kemi pasur ecuri të mirë dhe tash është e vërtetë që po na respektojnë skuadrat e tjera”, thekson Munishi.

Gjilani nuk ka fituar asnjëherë titull të kampionit. Futbollistët thonë se është koha që ky fakt të ndryshojë.

“Mendoj se kemi dhënë maksimumin, për atë jemi në vend të parë. Të gjithë e dimë se duhet të japim më shumë, sepse më vështirë është ta ruajmë vendin e parë sesa ta fitojmë. Na mbetet ta japim maksimumin në përgatitje për ta mbajtur vendin e parë”, ka thënë sulmuesi Blerim Krasniqi.

Ndërkohë mesfushori Albert Dabiqaj thotë se në garën për titull i pret konkurrencë e fortë.

“Objektivi ynë tashmë dihet. Në luftën për titull na pret një konkurrencë e fortë, por do ta japim maksimumin. Jemi gati për t’u përgatitur maksimalisht. Jemi këtu për të dhënë maksimumin”, ka thënë Dabiqaj.

Stinori pranveror është paraparë të nisë në mes të muajit shkurt. Para ndeshjeve kampionale skuadrat do t’i luajnë ndeshjet e 1/8 së finales të Kupës së Kosovës.