Ishte fillimi i ditës. I një dite që shpresohej të ishte e madhe.
E diel, 25 korrik 2021. Dita e dytë e lojërave olimpike “Tokio 2020”. Në arenën e bukur “Nippon Budokan” po shfaqej xhudistja që kishte pushtuar skenën e madhe olimpike pesë vjet më parë, në Rio të Brazilit.
Në “Budokanin” e famshëm në vendlindjen e xhudos, po ecte në mënyrën që e karakterizon dhe krijohej përshtypja se është plot vetëbesim dhe e fokusuar maksimalisht.
U vendos në tatamin numër dy. I doli përballë hungarezes Reka Pupp. Shpresat ishin që Pupp të kalohej sa hap e mbyll sytë.
Por pasoi ajo që askush nuk e ka pritur. Më së paku vetë ajo dhe trajneri Driton Kuka.
Majlinda Kelmendi, njëra prej xhudisteve më të mira në histori, po haste në vështirësi të mëdha për të shtrirë dominimin në luftën me Puppin, ndaj së cilës kishte një fitore në vitin 2018.
Herët mori një dënim. Nuk dukej gjë e madhe.
Vazhdonte me autoritet luftën. Shtrinte herë pas here dorën e majtë, në tentim për të kapur në shpinë rivalen dhe për të realizuar teknikën që e ka ngritur në piedestal. Por hungarezja e papërshtatshme po rezistonte. Lufta për gard po bëhej gjithnjë e më e fortë.
Nga këndi i trajnerit po shikonte Driton Kuka. Në fillim i qetë. Kur gjërat nuk po ecnin mirë, më i acaruar. Ngadalë hungarezja po merrte iniciativë. Provoi një aksion, të cilit iu shmang Majlinda.
Gjërat nuk po ecnin në drejtimin e duhur. Pritej një moment magjie i saj për ta mbyllur luftën që po dilte shumë më e vështirë sesa që ishte pritur. Përpjekjet nuk mungonin. Por për Majlindën nuk po funksiononte asgjë. Trajneri Kuka nisi të jepte më zëshëm këshilla. Nuk po kryente punë as kjo. Aksionet e Majlindës disi nuk e kishin rrjedhën e zakonshme. Dhe Pupp po e shfrytëzonte rastin e saj, që ndoshta as vetë ajo s’e kishte pritur.
Një dënim i dytë iu dha nga gjyqtarja. Lufta efektive po bëhej më e shkurtër e pauzat mes saj më të gjata.
Semafori i vendosur mes dy trajnerëve tregonte se lufta po shkonte në “Golden Score”. Një dënim u nda për hungarezen , por nuk ishte ndonjë moment kthese që në xhudo di të jetë. Në minutën e dytë të kohës shtesë Majlinda nisi një aksion, që doli të jetë i fundit i saj si xhudiste. Pupp mbeti në një pozitë të papërshtatshme dhe dukej që Majlinda po e shtynte drejt tatamit. Por u tregua e pakujdesshme.
Pupp ia doli disi të rrotullohej dhe krijoi pozitë të favorshme. E shtyu Majlindën që ra me gjysmën e trupit. Hungarezja nuk po ndalej. Vazhdoi shtyrjen, tani edhe më fort dhe Majlinda preku me shpinë. Trajneri Kuka dukej që nuk po e besonte atë që po i shihnin sytë. Trajneri i hungarezes u gëzua për një çast, por kontrolloi emocionet.
Gjyqtarja tregoi me dorë që situata duhej të rishikohej nga gjyqtarët kryesorë, që ishin pranë tatamit, përballë trajnerëve. Pritja për vendim ishte shumë më e gjatë se zakonisht.
Pas 50 sekondave pritjeje, gjyqtarja ngriti dorën për të treguar që Pupp kishte realizuar pikë. Fitorja ishte e saj. Majlinda në fillim dukej si e habitur. Nuk po mund të besonte. Më pas mbuloi fytyrën me dy duar. Ia zgjati dorën kundërshtares dhe nisi të bënte hapa prapa në tatami. U ndal në skaj të tij, vendosi duart në gju dhe u përkul para. Qëndroi në atë pozitë për 15 sekonda, para se të kthehej nga gjyqtarët e drejtuesit, të cilët i përshëndeti me një ulje koke.
U nis kah trajneri që i tha diçka për luftën para se t’ia vendoste dorën mbi shpatulla. Dëshpërimin e madh e shfaqi pasi lëshoi tatamin. U ul në tokë dhe qëndroi përmbys për pak çaste. Ishte trajneri Kuka që e ngriti duke e mbajtur për dore dhe bashkë me të u nis drejt hapësirave të brendshme të arenës. Ia mbante dorën mbi shpatulla. Organizatori u kujdes që Majlinda e Toni t’i ndanin rrugët. Rruga e xhudistes ishte më e gjatë. Duhet t’i jenë dukur orë të tëra. Ecte ngadalë, me kokën ulur dhe pa u penguar nga askush.
Kështu dita e dytë e garave të xhudos në “Tokio 2020” po niste me befasinë më të madhe. Me eliminimin e kampiones olimpike që në xhiron e parë.
Dy ditë më vonë Majlinda njoftoi se po i jepte fund karrierës si xhudiste. Edhe para udhëtimit në Tokio ajo e trajneri Kuka e kishin ndarë mendjen që gara olimpike të ishte e fundit në karrierë.
Majlinda vazhdon të mos ketë shpjegim për atë që ndodhi në Tokio, atë të diel korriku. Fizikisht ishte shumë mirë. Edhe në aspektet e tjera të xhudos ishte në nivel të lartë.
“Gjithçka ishte mirë, por në kokën time unë e kam kryer më herët”, thotë ajo. Hamendëson nëse ishte e ngopur me xhudo edhe para udhëtimit për në Tokio.
“Ajo që ka ndodhur në Tokio, nuk e di se çka ishte. Është sot kur e mendoj nuk kam shpjegim. Diçka është dashur të funksionojë. Nëse jo eksperienca, atëherë përgatitja fizike. Nëse jo përgatitja, atëherë niveli i xhudos sime. Është dashur të dalë diçka në pah. E të mos funksionojë asgjë... Nuk e di. Nuk shpjegohet”, thotë Majlinda.
Situatën e krijuar në Budokanin e veçantë Majlinda e ka përjetuar rëndë. Për kohë të gjatë madje.
Tashmë i është kthyer rutinës. Rutinës së re. Ka nisur punën si trajnere. Asistente e Tonit.
Sallën e xhudos e viziton rregullisht, por ngarkesën që e kishte si xhudiste nuk e ka as për së afërmi.
Pak flet për atë ditë korriku në Tokio. Ditën që shënon fundin e një karriere shumë të madhe. Një karriere të pakrahasueshme. Edhe vepra e Majlindës për Kosovën, për promovimin e vendit, vlerësohet e pakrahasueshme.
Shumë fjalë të mëdha janë thënë për Majlindën nga atëherë. I janë ndarë çmime e mirënjohje. Respekti i njerëzve ndaj saj vazhdon të jetë maksimal. Këtë e ka arritur me punë e sakrificë. Dhe trashëgimia e saj për vendin, por edhe për xhudon si sport mbetet e jashtëzakonshme.
Medalja e artë olimpike; dy tituj të botës dhe medalja e bronztë botërore; katër tituj të Evropës dhe medalja e bronztë evropiane; 18 medalje të arta në garat “Masters”, “Grand Slam” e “Grand Prix”; disa herë më e mira në botë e më e mira në Evropë.
Janë këto disa prej sukseseve të Majlindës, vajza nga Peja që na bëri të gjithëve që ta duam xhudon.